Google ADS

Turqi, parlamenti miraton mocionin për të zgjatur vendosjen e trupave në Irak dhe Siri

20:27 | 8 Tetor 2019
Arbresh.info

Parlamenti i Turqisë ka miratuar një mocion për zgjatjen e kompetencave të shtetit për të filluar operacione ushtarake ndërkufitare në veri të Irakut dhe Sirisë edhe për një vit tjetër, raporton Anadolu Agency (AA).

Mocioni u miratua para operacionit të planifikuar të Turqisë për zonën e sigurt në veri të Sirisë.

Partia në pushtet, ajo për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), partia kryesore opozitare, ajo Popullore Republikane (CHP) dhe dy parti të tjera opozitare, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) dhe Partia IYI mbështetën mocionin, ndërsa Partia Demokratike e Popujve (HDP) votoi kundër.

Mocioni, i cili u paraqit nga qeveria e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, lejon ushtrinë turke të kryej operacione ndërkufitare edhe për një vit tjetër. Mocioni i mëparshëm vlente për periudhën kohore nga 30 tetori i vitit 2018 deri më 30 tetor të vitit 2019.

Mocioni deklaron se Turqia i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së integritetit territorial, unitetit kombëtar dhe stabilitetit të Irakut.

“Megjithatë, ekzistenca e PKK-së dhe DEASH-it në Irak paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen rajonale, stabilitetin dhe sigurinë e vendit tonë”, thotë mocioni.

Ndërkohë, mocioni po ashtu thotë se Turqia ka vazhduar aktivietet e sigurisë në lindje të Eufratit në përputhje me interesin e saj të ligjshëm të sigurisë.

Që nga viti 2016, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në veriperëndim të Sirisë kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke u mundësuar sirianëve që shpëtuan nga dhuna të kthehen në shtëpitë e tyre.

Turqia që moti ka denoncuar kërcënimin nga terroristët në lindje të Eufratit në veri të Sirisë, duke u zotuar për veprime ushtarake për të parandaluar formimin e një “korridori terrorist” atje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e organizatës terroriste PKK.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme