Turqia ka vënë nën kontroll 70 zjarre pyjore që kanë kapluar gjithë vendin, tha një zyrtar i lartë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një azhurnim të fundit mbi zjarret e fundit pyjore, ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë Bekir Pakdemirli tha në Twitter se 4.000 pjesëtarë të intervenimit, gjashtë aeroplanë, nëntë mjete ajrore pa pilot, një helikopter pa pilot, 45 helikopterë, 55 automjete të rënda dhe 1.080 kamionë zjarrfikës po marrin pjesë në përpjekjet për të shuar flakët.
Pakdemirli ndau gjithashtu një listë e cila tregon se ekipet e zjarrfikësve ende po luftojnë kundër zjarreve në 11 lokacione për t’i vënë ato nën kontroll.
Më herët gjatë ditës, ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Adil Karaismailoğlu u bashkuan me ministrin Pakdemirli në një konferencë shtypi për të ndarë zhvillimet e fundit mbi zjarret pyjore që kanë vazhduar gjatë disa ditëve të fundit në pjesë të ndryshme të vendit.
Zjarret pyjore kanë vazhduar që nga e mërkura në provincat jugore Mersin, Osmaniye, Adana, Antalya dhe Kahramanmaraş. Flakët shpërthyen gjithashtu në provincën jugperëndimore Muğla dhe provincat qendrore Kırıkkale dhe Kayseri.
Duke folur për zjarret në Muğla, Pakdemirli tha se ka pasur “dëme të vogla” në qytetin turistik të Marmarisit në këtë provincë.
“Nuk kërcënon vendbanimet. Ka një zjarr që lëviz drejt detit”, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se hetimet zyrtare për shkakun e zjarreve janë duke vazhduar.
“Autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit janë duke vazhduar hetimin e tyre mbi shkakun e zjarreve. Një deklaratë do të bëhet pasi të zbulohen gjetjet e rëndësishme”, tha ai.
Duke cituar spekulime të përhapura në mediat sociale, Pakdemirli gjithashtu i bëri thirrje opinionit të gjerë të mos mbështetet në informacione të pakonfirmuara nga burime jozyrtare.
Si masë për të lehtësuar barrën financiare të viktimave të zjarreve, shlyerja e huave për të prekurit do të shtyhet, tha Pakdemirli.
Për të ndihmuar në rikuperimin e mjedisit pasi të shuhen flakët, tha ai, pemë të reja do të mbillen për të zëvendësuar ato që janë djegur, ndërsa aktivitetet e pyllëzimit do të fillojnë në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit.
Punimet për vlerësimin e dëmeve
Përpjekjet për të shuar flakët vazhdojnë në rajon së bashku me vlerësimet e dëmeve, u tha Çavuşoğlu gazetarëve.
“Nga nesër, ne do të fillojmë me pagesa të pjesshme për qytetarët tanë, dëmet e të cilëve janë vlerësuar”, tha ministri i jashtëm.
“Tre nga qytetarët tanë vdiqën në Antalya dhe një në Muğla. Lutemi për mëshirën e Allahut”, shtoi Çavuşoğlu.
Ai nënvizoi se transferimi i një totali prej 23,5 milionë lirash turke (rreth 2,8 milionë dollarë) ka filluar nga institucione dhe ministri të ndryshme për nevoja emergjente në vazhdën e zjarreve në Manavgat të Antalya-s.
Çavuşoğlu theksoi se ekipet zbuluan se 42 lagje janë prekur nga flakët dhe se 27 lagje janë evakuuar, ndërsa 15 janë prekur pjesërisht nga zjarret në Manavgat.
Ai tha gjithashtu se është krijuar një qendër koordinimi brenda zyrës së guvernatorit krahinor për nevojat e njerëzve në të gjitha këto lagje.
Ndërkohë, Zyra e Guvernatorit në Antalya tha se të gjithë qytetarët përveç autoriteteve janë të ndaluar të hyjnë në të gjitha tokat e pyllëzuara në Antalya midis 30 korrikut dhe 31 gushtit.
Të gjitha mjetet e shtetit të mobilizuara
Ministri i Mjedisit dhe Urbanizimit Kurum tha se sipas gjetjeve fillestare, gjithsej 2.300 ndërtesa janë prekur nga zjarri në Manavgat.
Të gjitha mjetet e shtetit janë mobilizuar me udhëzimet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan për të “shëruar plagët e njerëzve të prekur nga zjarret”, tha ai.
Në kuadër të përpjekjeve për vlerësimin e dëmeve, 252 ndërtesa janë ekzaminuar deri më tani, tha Kurum, ndërsa 126 u zbulua se janë dëmtuar rëndë ose shkatërruar.
Ai shtoi se 465 kantiere ndërtimi janë prekur nga zjarret në Mersin, ndërsa katër fshatra janë evakuuar në Osmaniye, të dyja në bregdetin jugor të Turqisë.
Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) tha në një deklaratë se zjarret në Manavgat kanë prekur 271 njerëz, duke përfshirë një rëndë, ndërsa 73 persona janë nën trajtim.
Në zjarret në gjithë provincën Muğla, 49 persona janë lënduar për shkak të flakëve, tha agjencia. Trajtimi i 35 personave të lënduar vazhdon dhe tre persona janë liruar nga spitalet, shtoi AFAD.
Lidhur me zjarret në Mersin, AFAD tha se 6.386 njerëz nga rrethet Aydıncık dhe Silifke janë evakuuar në zona të sigurta.
Në provincën jugore Adana, zjarret pyjore shpërthyen në 21 vende të enjten, tha AFAD, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të shuar zjarret në rajonet Aladağ, Kozan dhe Kadirli. Dhjetë persona janë prekur nga zjarret dhe trajtimi i tetë personave vazhdon në spitale.
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...