Turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në Teheran të mërkurën për të marrë pjesë në ceremonitë e varrimit të presidentit iranian Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, dhe zyrtarëve të tjerë që humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri më 19 maj.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili shpalli pesë ditë zie, i udhëhoqi ceremonitë, të cilat nisën në Universitetin e Teheranit në qendër të kryeqytetit, ku u mblodhën mijëra njerëz duke mbajtur në dorë portrete të Raisit.
“O Allah, nga ai pamë vetëm mirë”, tha Khamenei për Raisin. Njerëzit u afruan për t’i prekur arkivolet, afër të të cilave qëndronte presidenti në detyrë i Iranit, Mohammad Mokhaber.
Arkivolet e Raisit dhe viktimave të tjera të rrëzimit të helikopterit u sollën në Teheran me nderime më 21 maj. Ato u mbështjellën me flamuj iranianë dhe mbi to u vendosën fotografitë e tyre. Mbi arkivolin e Raisit u vendos një çallmë e zezë për të shënuar gjoja prejardhjen e tij të drejtpërdrejt nga Profeti Muhamed.
Përveç liderëve kryesorë të Iranit, në ceremoni morën pjesë edhe disa personalitete të huaja, përfshirë kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe një delegacion nga udhëheqësit talibanë të Afganistanit, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Amir Khan Mutaqqi.
Ismail Haniyeh, lideri i Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u pa gjatë transmetimit drejtpërdrejt duke marrë pjesë në ceremoni gjithashtu.
Irani e ka armatosur dhe mbështetur Hamasin gjatë luftës së tanishme me Izraelin në Rripin e Gazës.
I pranishëm ishte edhe Sheik Naim Qassem, zëvendëslideri i Hezbollahut, grupit libanez që mbështetet nga Irani.
Raportohet se turma brohoriti “Vdekje Izraelit”.
Ceremonitë e varrimit nisën më 21 maj në qendrën klerikale shiite Kom dhe në Tabriz, kryeqytetin e Provincës Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri më 19 maj, ku morën pjesë mijëra njerëz.
Khamenei e emëroi Mohammad Mokhberin, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, në detyrën e presidentit të përkohshëm.
Koha e tij si president do të jetë e shkurtër, pasi autoritetet kanë caktuar 28 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.
Mokhber, së bashku me kryetarin e Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe kryetari i Gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, do t’i organizojnë zgjedhjet e reja.
Zëvendësministri i Jashtëm, Ali Baqeri Kani, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, sipas mediave iraniane.
Pasi televizioni shtetëror iranian raportoi më 20 maj se helikopteri ishte rrëzuar për shkak të motit të lig, ekipet për kërkim dhe shpëtim i gjetën trupat e Raisit dhe Amir-Abdollahian në vendin e ngjarjes në veriperëndim të Iranit.
Komunikimi kishte humbur derisa helikopteri po kthehej në Tabriz, pasi Raisi kishte marrë pjesë në përurimin e një dige me homologun e vet azerbajxhanas, Ilham Aliyev, në kufirin e tyre të përbashkët.
“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllime për vdekjen e presidentit iranian Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Amir-Abdollahian, dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit, nga rrëzimi i helikopterit në veriperëndim të Iranit”, tha Departamenti amerikan i Shtetit në një komunikatë.
“Teksa Irani emëron presidentin e ri, ne e ritheksojmë mbështetjen tonë për popullin iranian dhe luftën e tyre për të drejtat e njeriut dhe lirinë fundamentale”.
Por Shtëpia e Bardhë kishte fjalë të ashpra për Raisin.
Zëdhënësi për siguri kombëtare, John Kirby, tha për gazetarë se “nuk ka dyshim se ai ishte njeri i cili kishte shumë gjak në duart e tij” për shkak se mbështeste grupet ekstremiste në Lindjen e Mesme.
Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.
Mijëra njerëz, përfshirë protestues, gazetarë, avokatë, atletë dhe artistë janë arrestuar dhe së paku 500 njerëz janë vrarë gjatë luftës brutale të Iranit kundër protestave.
Raisi gjithashtu kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, duke e lejuar vendin e vet që njëkohësisht ta rrisë dukshëm edhe programin e vet për uranium të pasuruar./rel
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...