Trupat koreanoveriore mund të jenë “shënjestër” në luftën e Rusisë kundër Ukrainës

08:15 | 30 Tetor 2024
E.G

Raportet e vazhdueshme të inteligjencës, që tregonin se mijëra trupa të Koresë së Veriut janë nisur drejt Rusisë, e kanë rritur alarmin se ato do të mund të angazhohen në luftën e Moskës kundër Ukrainës.

Kjo frikë është kristalizuar pas marrjes së konfirmimit që ushtarët koreanoveriorë, jo vetëm që janë në tokën ruse, por tashmë janë pozicionuar në rajonin perëndimor që është në kufi me Ukrainën, ku forcat ruse po tentojnë të mposhtin inkursionin ukrainas.

Nuk është lajm i rremë
Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës në Korenë e Jugut ka thënë që disa javë se armiku i saj i përbetuar, Koreja e Veriut, është duke u përgatitur që të dërgojë personel ushtarak, përfshirë pilotë luftarakë, në Rusi.

Më shumë se 12.000 ushtarë është paraparë që të arrijnë deri në fund të vitit, sipas vlerësimit të Koresë së Jugut.

Si Moska, ashtu edhe Pheniani, të cilët e kanë rritur bashkëpunimin në mbrojtje prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, i kanë hedhur poshtë raportet e inteligjencës, duke i quajtur “lajme të rreme”, dhe duke pretenduar se bashkëpunimi i tyre ushtarak është në linjë me ligjin ndërkombëtar.

Këto pretendime janë goditur fort më 28 tetor, kur shefi i NATO-s, Mark Rutte, e ka konfirmuar se trupat koreanoveriore janë angazhuar në rajonin perëndimor të Rusisë, Kursk.

Rutte ka thënë se angazhimi i këtyre trupave përbën “përshkallëzim të madh” dhe që përfshirja e Koresë së Veriut në luftën e Rusisë në Ukrainë përbën kërcënim për sigurinë globale dhe është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Rutte ka thënë, po ashtu, se angazhimi i trupave koreanoveriore në Rusi është shenjë për “dëshpërimin në rritje” të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Mbi 600.000 ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur në luftën e Putinit, dhe ai nuk mund t’i vazhdojë sulmet në Ukrainë pa ndihmë të huaj”, ka thënë Rutte.

Aktiviteti diplomatik
Ndikimi i deklaratës së shefit të NATO-s, është vërejtur në mbarë botën.

Në Uashington, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka thënë se 10.000 trupa koreanoveriore tashmë janë dërguar në Rusi dhe ka mundësi që t’i bashkohen luftës kundër Ukrainës “brenda javësh”.

Pentagoni ka thënë më 28 tetor, se një pjesë e trupave janë në rajonin Kursk, ku forcat ruse nuk kanë arritur të shtyjnë përpara mijëra ushtarë ukrainas që kanë pushtuar pjesë të rajonit rus në inkursionin e befasishëm në gusht.

“Ne jemi të shqetësuar që Rusia po synon t’i përdorë këta ushtarë në fushëbetejë apo përmes tyre të sigurojë mbështetje për operacione kundër forcave ukrainase në fushëbetejë”, ka thënë Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky – i cili ka paralajmëruar javën e kaluar se trupat koreanoveriore janë dërguar në fushëbetejë – ka biseduar më 29 tetor me homologun e tij në Korenë Jugore, Yook Suk Yeol.

“Ne kemi diskutuar për përfshirjen e forcave ushtarake të Koresë së Veriut në pushtimin rus të Ukrainës. Përfundimi është i qartë: lufta po zgjerohet përtej dy shteteve”, ka shkruar Zelensky në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Ndërkohë Kremlini ka bërë përgatitje për takime me ministren e Jashtme të Koresë së Veriut, Choe Son Hui, e cila ka arritur në Moskë më 29 tetor.

Agjencitë ruse të lajmeve kanë thënë se Choe do të takohet me një numër të paspecifikuar të zyrtarëve rusë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se Putin nuk ka plan që të takohet me diplomatin e lartë koreanoverior.

Mundësitë për goditje të koreanoveriorëve
Zelensky ka paralajmëruar javën e kaluar se arritja e trupave koreanoveriore në Rusi nënkupton që “Ukraina do të detyrohet të luftojë Korenë e Veriut në Evropë”.

Pentagoni ka thënë më 29 tetor se nëse korenoveriorët shfaqen në fushëbetejë, atëherë nuk do të ketë kufizime që ushtria ukrainase të përdorë armë amerikane kundër tyre.

Kjo deklaratë është bërë pasi zëdhënësi për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë javën e kaluar se nëse trupat koreanoveriore “angazhohen në luftë kundër Ukrainës, mund edhe të jenë shënjestër”.

Kirby ka thënë se dilema e madhe është se çfarë ka përfituar Koreja e Veriut nga një angazhim i tillë trupash.

Koreja e Veriut – shtet me forcë bërthamore – është akuzuar shpesh se po ndihmon Rusinë teksa lufton Ukrainën.

Një vit më parë, Uashingtoni ka thënë se Pheniani i ka shitur Rusisë pajisje ushtarake që “mund të përdoren për të sulmuar qytetet ukrainase, për të vrarë civilët ukrainas dhe për të vazhduar luftën jolegjitime të Rusisë”.

Në janar, Uashingtoni dhe Kievi kanë nisur të akuzojnë Rusinë për përdorim të armëve balistike të Phenianit kundër Ukrainës.

Ka pasur edhe spekulime që vizita e Choes në Moskë, më 29 tetor, mund të jetë planifikuar për vërtetuar se Pheniani është duke përfituar ekonomikisht nga shitja e armëve për këtë shtet.

Ndihma është e dukshme
Koreja e Veriut veçse e ka fituar një lloj mbrojtjeje kundër armiqve perëndimorë, duke u afruar me Moskën – e cila sikurse Pheniani, është sanksionuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

Në qershor, Putin dhe lideri koreanoverior, Kim Jong Un, kanë nënshkruar një pakt të përbashkët të mbrojtjes, që bën thirrje për secilën palë ‘të ofrojë ndihmë ushtarake dhe çdo ndihmë tjetër që është në dispozicion”, nëse njëra palë “është në gjendje lufte për shkak të një agresioni të armatosur”.

Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës në Korenë e Jugut është raportuar t’iu ketë thënë deputetëve më 29 tetor se Koreja e Veriut mund të jetë duke blerë pjesë përbërëse të rëndësishme nga Moska, lidhur me çështjet hapësinore, diçka që Kim e ka përshkruar si jetike për ushtrinë e vet.

Eksperti i Koresë së Veriut, Benjamin Young, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Rusia i ka shumë borxh Phenianit dhe duhet t’i japë shumë, në këmbim të ndihmës ushtarake.

“Koreanoveriorët tani mund të shfrytëzojnë palën ruse për të siguruar raketa të cilësisë së lartë, teknologji hapësinore dhe ekspertizë”, ka thënë Young, ekspert në institutin Rand Corporation.

“Më specifikisht, koreanoveriorët dëshirojnë të zhvillojnë makina të avancuara për raketat e tyre. Rusët mund të ndihmojnë në këtë aspekt”.

Young ka thënë se për Korenë e Veriut, “aftësia për të fituar eksperiencë në fushëbetëjë është shumë e rëndësishme” dhe mund “t’i ndihmojë Phenianit në rast se shpërthen ndonjë konflikt në Gadishullin Korean”.

Të gatshëm në detyrë
Personeli ushtarak i Koresë së Veriut ka shumë për t’i ofruar Rusisë në fushëbetejë, ka thënë Young.

“Nuk do të befasohesha nëse pilotët koreanoveriorë nisin të punojnë me aeroplanët luftarakë rusë”, ka thënë Young.

“Mendoj që ata mund të ofrojnë ndihmë në fushëbetejë me ekspertizë teknike për raketa”.

Young ka thënë se trupat tjera që nuk janë të specializuara, mund të tentojnë të luftojnë kundër ofensivës ukrainase në Kursk.

“Meqë ai është teknikisht territor rus, Kremlini mund të deklarojë se koreanoveriorët janë duke asistuar në operacione ‘kundërterrorizmi’ dhe të vazhdojnë të jetë në zonë të hirtë të ligjit ndërkombëtar”.

Young ka përmendur se mungesa e përvojës në fushëbetejë mund të jetë mangësia më e madhe për koreanoveriorët.

“Shumica e koreanoveriorëve nuk flasin rusisht dhe nuk kanë përvojë në luftë”, ka thënë Young.

Pikëpyetja e dezertimit
Kievi është duke u përgatitur që t’i tërheqë ushtarët koreanoveriorë në anën e vet me pretendimet për shtretër të ngrohtë dhe tri shujta në ditë.

Në kanalin e vet në rrjetet sociale “Dua të jetoj”, në të cilin synohet të binden ushtarët rusë që t’i dorëzojnë armët, inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka dërguar mesazh të qartë për aleatët koreanoveriorë të Rusisë, më 23 tetor.

“Për ushtarët e Ushtrisë Popullore të Koresë: Ju, që jeni dërguar për t’i ndihmuar regjimit të Putinit, nuk keni nevojë të vdisni në një vend tjetër”, është thënë në postimin në gjuhën koreane.

“Dorëzohuni! Ukraina ju mbron juve, ju ofron ushqim dhe ngrohje. Mijëra ushtarë rusë veçse e kanë bërë zgjedhjen e duhur”.

Mirëpo, Young ka thënë se ushtarët koreanoveriorë me siguri janë “tejet të monitoruar”, dhe ndonëse mund të ndodhë ndonjë dezertim, megjithatë, “ata e kuptojnë se kanë shumë mundësi të kapen dhe të ekzekutohen në Korenë e Veriut”./rel

 

Të ngjashme