Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi se emëroi ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Matt Whitaker për postin e ambasadorit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në NATO. Trump ka shprehur vazhdimisht skepticizëm ndaj aleancës perëndimore.
Me anë të një deklarate, presidenti i zgjedhur tha se zoti Whitaker është “një luftëtar i fortë dhe patriot besnik” i cili “do të sigurojë avancimin dhe mbrojtjen e interesave të Shteteve të Bashkuara”, si edhe do “të forcojë marrëdhëniet me aleatët tanë të NATO-s dhe do të qëndrojë i palëkundur përballë kërcënimeve ndaj paqes dhe stabilitetit”.
Përzgjedhja e zotit Whitaker si përfaqësues i vendit në NATO është e pazakontë, duke pasur parasysh përvojën e tij si jurist dhe jo në politikën e jashtme.
Zoti Whitaker, një ish-prokuror në shtetin e Ajovas, shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm në Detyrë nga nëntori 2018 deri në shkurt 2019, në fazat e fundit të hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhje.
Më herët, ai kishte qenë shef i personelit të Prokurorit të parë të Përgjithshëm të zotit Trump, Jeff Sessions, përpara se të zgjidhej për të zëvendësuar shefin e tij pasi zoti Sessions u shkarkua në mes të pakënaqësive mbi vendimin e tij për t’u tërhequr nga hetimi për Rusinë.
Zoti Whitaker e mbajti postin për disa muaj, derisa William Barr u konfirmua si prokuror i përgjithshëm në shkurt 2019. Ai ka qenë një kritik i zjarrtë i çështjeve penale federale kundër zotit Trump, të cilat mesa duket do të mbyllen pas fitores së tij në zgjedhje, sipas një praktike të Departamentit të Drejtësisë sipas së cilës presidentët në detyrë nuk mund të akuzohen për vepra penale.
Zoti Whitaker ka përdorur paraqitjet e rregullta në Fox News për t’iu bashkuar republikanëve të tjerë, duke denoncuar atë që ata pretendojnë se është politizimi i Departamentit të Drejtësisë gjatë katër viteve të fundit.
Presidenti i zgjedhur Trump ka paralajmëruar vazhdimisht se nuk do të mbrojë anëtarët e NATO-s që nuk përmbushin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës transatlantike.
Sipas klauzolës për mbrojtjen reciproke që parashikohet nga neni 5 i NATO-s, një sulm i armatosur kundër njërit ose më shumë anëtarëve të saj, konsiderohet si një sulm kundër të gjithë anëtarëve.
Në fillim të këtij viti, zoti Trump tha se kur ishte president, ai paralajmëroi aleatët e NATO-s se “do të inkurajonte” Rusinë “të bënte çfarëdo që të donte” ndaj vendeve që nuk e përmbushin detyrimin e buxhetit të NATO-s, ndërsa shtoi sulmet ndaj ndihmës së huaj dhe aleancave historike ndërkombëtare./Voa
Australia prezanton ligjin që i ndalon rrjetet sociale fëmij...
Vrasja e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari, qytetarët nisin ma...
“Të mos e lejojmë degradimin e gjuhës shqipe”, Rama: Nesër d...
Osmani pret në takim ndihmës Administratoren e USAID-it
Shala kërkon shtyrjen e seancës për caktimin e urdhrit për d...
Osmani kërkon që FSK-së t’i krijohen shtesat e rreziks...