Zoti Manafort, i cili drejtoi fushatën zgjedhore të zotit Trump në 2016 gjatë tre muajve më të rëndësishëm të saj, ka gjasa të dënohet me vite burgim, për të mos thënë dekada, pas shpalljes fajtor lidhur me tetë akuza për mashtrim. Zoti Manafort do të përballet gjithashtu dhe me një gjyq të dytë për disa akuza të tjera që pritet të nisë muajin e ardhshëm në Uashington.
Presidenti Trump vuri në dukje se për 10 nga 18 akuzat, gjykata nuk mori dot vendim në rastin e Paul Manafort-it. Por disa prokurorë federalë me shumë përvojë thonë se tetë dënimet për krime financiare e përligjin hetimin që Prokurori i Posaçëm po u bën lidhjeve të mundëshme mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.
Shumë ekspertë ligjorë dhe të politikës presin që zoti Trump ta falë zotin Manafort, rasti i parë që u soll në gjyq nga Robert Mueller, ekipi i të cilit vazhdimisht ka qenë në fokusin e kritikave të ashpra të presidentit.
“Lajme të rreme dhe gjueti shtrigash ruse”, tha presidenti gjatë një mitingu politik të martën në mbrëmje në shtetin e Virxhinias perëndimore. “Ku është marrëveshja e fshehtë?”
Një zhvillim i mundshëm ligjor më i madh për zotin Trump është ai që lidhet me ish-avokatin i tij Michael Cohen, i cili i tha një gjykatësi federal të martën në Nju Jork se ai i kishte bërë pagesat ndaj dy grave “me qëllimin kryesor për të ndikuar në zgjedhje” dhe se urdhrin për këtë e kishte marrë nga kandidati presidencial (Donald Trump).
Në deklaratat e publikuara tatimore pohohet se kompania e pasurive të paluajtshme e zotit Trump ka autorizuar t’i paguhen zotit Cohen 420 mijë dollarë në përpjekjen për t’i mbyllur gojën dy grave, të cilat pretendonin se kishin patur marrëdhënie me kandidatin republikan. Faturat e rreme që fshihnin qëllimin e pagesave, mund të kërkojnë një shqyrtim të drejtpërdrejtë të prokurorisë, si ndaj kompanisë së zotit Trump ashtu edhe ndaj fushatës së tij.
Avokati i zotit Cohen, Lanny Davis, në një serë intervistash në media të mërkurën, tha se klienti i tij do të bashkëpunojë me hetimin e zotit Mueller dhe mund ta implikojë zotin Trump në të tjera çështje që kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit.
Zoti Davis tha se zoti Cohen “do të tregojë të vërtetën rreth Donald Trump-it”.
Tre persona të tjerë që kanë punuar për zotin Trump kanë pranuar gjithashtu fajin për vepra penale të kryera prej tyre: ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn, ish-zëvendës menaxheri i fushatës Rick Gates dhe një këshilltar për politikën e jashtme gjatë fushatës, George Papadopoulos.
Stuhia ligjore në rritje që po godet zotin Trump po shton spekulimet se demokratët e opozitës do të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit, nëse ata sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme të muajit nëntor.
Të martën zyrtarët e shtypit të Shtëpisë së Bardhë nuk bënë komente rreth zhvillimeve në gjykatën federale. /VoA
Izraeli arreston drejtorin e një spitali në veri të Gazës
Kurti dhe Nagavci vendosin gurthemelin e çerdhes në Rekë-Vat...
83 mijë metra katror banesa për të pastrehët në Tiranë
Qytetarët në Shkup sërish protestojnë kundër ndotjes së ajri...
Më shumë investime në shëndetësi, Balluku: Rritje të pagave ...
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...