Ish Presidenti Donald Trump tha të hënën se hebrenjtë që votojnë demokratët e “urrejnë Izraelin” dhe urrejnë “besimin e tyre fetar”. Komentet e tij shkaktuan kritika të shumta nga Shtëpia e Bardhë dhe udhëheqësit e komunitetit hebre.
Gjatë një interviste, zoti Trump u pyet për kritikat në rritje të demokratëve ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me menaxhimin e luftës në Gazë, ndërsa numri i viktimave në radhët e civilëve vazhdon të rritet.
“Mendoj realisht se ata e urrejnë Izraelin”, iu përgjigj zoti Trump ish-ndihmësit të tij Sebastian Gorka. “Mendoj se ata e urrejnë Izraelin. Dhe Partia Demokrate e urren Izraelin”.
Trump, i cili që nga java e kaluar është kandidati i pritshëm i Partisë Republikane për president, vazhdoi duke thënë se: “Çdo person hebre që voton për demokratët urren fenë e tyre. Ata urrejnë çdo gjë që ka të bëjë me Izraelin dhe atyre duhet t’u vijë turp nga vetja, sepse Izraeli do të shkatërrohet”.
Komentet shkaktuan reagime të menjëhershme nga Shtëpia e Bardhë, ekipi elektoral i Presidentit Joe Biden dhe udhëheqësit e komunitetit hebre. Shumica e hebrenjve amerikanë vetë identifikohen si demokratë, por zoti Trump i ka akuzuar shpesh për mungesë besnikërie, duke nxitur atë që kritikët e kanë quajtur një lajtmotiv antisemit.
Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Andrew Bates i quajti komentet “retorikë antisemite e pakëndshme dhe e zhbalancuar”, por pa përmendur zotin Trump me emër.
“Ndërsa krimet dhe aktet antisemite janë shtuar në mbarë botën – ndër to edhe sulmi më vdekjeprurës ndaj popullit hebre që nga Holokausti – udhëheqësit kanë detyrimin ta quajnë urrejtjen ashtu siç është dhe t’i bashkojnë amerikanët kundër saj”, tha ai. “Nuk ka justifikim për përhapjen e stereotipave toksikë false që rrezikojnë bashkëqytetarët. Asnjë (justifikim)”.
Ekipi elektoral i Presidentit Biden tha se “i vetmi që duhet të ketë turp këtu është Donald Trump-i”.
“Trump-i do të humbasë sërish këtë nëntor pasi amerikanët janë të lodhur nga pakënaqësia e urryer, sulmet personale dhe axhenda ekstreme”, tha zëdhënësi James Singer.
Jonathan Greenblatt, drejtues i Ligës Kundër Shpifjes, tha se “t’i akuzosh hebrenjtë se urrejnë fenë e tyre, pasi mund të votojnë për një parti të caktuar, është shpifje qartësisht false”.
“Udhëheqësit seriozë që janë të interesuar për aleancën historike SHBA-Izrael duhet të fokusohen tek forcimi dhe jo tek prishja e mbështetjes dypartiake për shtetin e Izraelit”, shkruajti ai në rrjetin X.
Komentet e ish Presidentit Trump u bënë ndërsa Presidenti Biden përballet me trysni në rritje nga krahu progresiv i partisë së tij, për mbështetjen ndaj Izraelit, që po zhvillon një ofensivë ndëshkimore në Gazë. Mbi 300 mijë palestinezë janë vrarë që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor të kontrolluar nga Hamasi.
Ndërsa Presidenti Biden vazhdon të mbështesë të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, ai e ka kritikuar gjithnjë e më shumë zotin Netanyahu. Pas fjalimit të zotit Biden mbi gjendjen e vendit, ai tha se duhet të bëjë një bisedë “kthjelluese” me udhëheqësin izraelit. Ai gjithashtu e ka akuzuar zotin Netanyahu se “e ka dëmtuar Izraelin më shumë se e ka ndihmuar”, duke shtuar se “ai duhet t’u kushtojë më shumë vëmendje jetëve të pafajshme që po humben si pasojë e veprimeve të ndërmarra”.
Trump iu referua në veçanti komenteve të bëra rishtazi nga udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, zyrtari më i lartë amerikan me origjinë hebraike. Në një fjalim javën e kaluar, zoti Schumer kritikoi ashpër menaxhimin nga zoti Netanyahu të luftës në Gazë, duke paralajmëruar se numri i lartë i viktimave në radhët e civilëve po dëmton imazhin e Izraelit nëpër botë. Ai gjithashtu i bëri thirrje Izraelit që të organizojë zgjedhje të reja.
Ndërsa Shtëpia e Bardhë u distancua zyrtarisht nga komentet e zotit Schumer, udhëheqësi demokrat po shprehte një opinion gjithnjë e më të pranishëm në radhët e zyrtarëve të administratës së Presidentit Biden.
Schumer, të cilin zoti Trump e akuzoi se është “shumë anti-Izrael tani”, u përgjigj duke e akuzuar zotin Trump për “deklarata tepër partiake dhe të urrejtshme”.
“Ta bësh Izraelin një çështje partiake, vetëm sa e dëmton Izraelin dhe marrëdhëniet SHBA-Izrael”, shkruajti ai në rrjetin X.
Qendra Kërkimore Pew raportoi në vitin 2021 se hebrenjtë janë “ndër grupet vazhdimisht më liberale dhe demokrate në Shtetet e Bashkuara”, me 7 në 10 amerikanë hebrenj në moshë madhore që identifikohen me Partinë Demokrate, ose anojnë drejt saj. Sipas gjetjeve të kësaj organizate në vitin 2020, ktre të katërtat e hebrenjve amerikanë nuk mbështesnin punën e zotit Trump gjatë periudhës që ishte president dhe vetëm 27% e shikonin atë pozitivisht.
Mbështetja e amerikanëve për operacionin ushtarak të Izraelit në Gazë po vazhdon të bjerë, sipas anketimeve të agjencisë së lajmeve Associated Press dhe Qendrës NORC për Studimin e Çështjeve Publike. Në janar, 50% e amerikanëve në moshë madhore thanë se përgjigja ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës kishte shkuar shumë larg, një rritje kjo krahasuar me 40% në muajin nëntor. Kjo përqindje është edhe më e lartë në radhët e demokratëve./voa
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...