Google ADS

Trump: Të bashkëpunojmë me Rusinë për t’i dhënë fund terrorizmit

15:04 | 12 Nëntor 2017
Arbresh.info

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se vendi i tij duhej të bashkëpunonte me Rusinë për t’i dhënë fund terrorizmit.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit me homologun vietnamez, Tran Dai Quang, në kryeqytetin Hanoi, Trump ka theksuar se të gjitha vendet duhet të mobilizohen kundër kërcënimeve të Koresë së Veriut.

”Nuk duam provokime, por përparime. Nuk duam trazira, por stabilitet dhe nuk duam luftë, por duam paqe”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan po ashtu ka thënë se do të ishte hap pozitiv për tërë botën sikur të mund të krijonte miqësi me liderin koreanoverior Kim Jong-un.

”Do të ishte mirë sikur të ishim miq me të, por dyshoj se kjo gjë mund të ndodhë. Po të ndodhte, do të ishte mirë për tërë botën”, u shpreh Trump.

Ndërkaq, lidhur me pohimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Trump tha se ”unë e pyeta Putinin për këtë gjë”.

”Ai tha se nuk e ka bërë. Putin e beson atë që dëshiron. Ajo që besoj unë është se duhet të punojmë së bashku me Rusinë për t’i dhënë fund terrorizmit. Në botë ka shumë probleme siç janë Koreja e Veriut, Siria dhe Ukraina. Ne duhet të punojmë së bashku për t’i zgjidhur këto”, tha presidenti amerikan.

Trump do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Filipine, stacioni i fundit në kuadër të turneut 13-ditor aziatik./atsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme