Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, nisën takimin në Helsinki.
Trump e përgëzoi Putinin për organizimin e suksesshëm të Kampionatit Botëror të Futbollit, përpara se të përvijonte disa nga temat që do të prekin gjatë bisedimeve.
“Dua t’ju përgëzoj për një Kampionat vërtet të mirë, një nga më të mirët”, tha Trump, duke shtuar se me Putinin do të diskutojë për “gjithçka”, nga tregtia deri te Kina.
Ai tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me “marrëdhënie të jashtëzakonshme” dhe se “bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”.
Është ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.
Përpara takimit, Trump tha se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.
“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më të këqija, falë shumë viteve të marrëzisë dhe budallallëkut të SHBA-së dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’”, shkroi Trump në Tëitter, duke iu referuar hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.
Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka akuzuar kundërshtarët e brendshëm të Trumpit dhe establishmentin amerikan për pengimin e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve, e pëlqeu postimin e Trumpit.
Takimi i dy liderëve ndodh në kohën kur marrëdhëniet SHBA-Rusi janë më të tensionuara se kurrë qysh nga koha e Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, intervenimit ushtarak të Moskës në lindje të Ukrainës dhe në Siri, si dhe ndërhyrjes së saj në zgjedhjet në SHBA.
Gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, përpara takimit me Putinin, Trump tingëlloi pozitiv. I pyetur se çfarë do t’i thotë Putinit, ai tha: “Do të jemi mirë, faleminderit”.
Në këtë takim, Trump po ashtu tha se “NATO nuk ka qenë kurrë më e fuqishme dhe kurrë më e bashkuar”. Komentet pasojnë samitin e aleancës në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik, ku vendet anëtare janë pajtuar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha para takimit Trump-Putin se Moska nuk pret që ai të jetë i lehtë.
“Natyrisht se Siria do të diskutohet nga dy presidentët. Të gjithë e dimë se çfarë mendon Uashingtoni për Iranin. Por, në të njëjtën kohë, Irani është partner i yni i mirë në tregti, bashkëpunim ekonomik dhe dialog politik. Pra, nuk do të jetë një shkëmbim i lehtë i pikëpamjeve”, tha Peskov.
Rusia, megjithatë, shpreson se samiti do të jetë “hapi i parë” në tejkalimin e krizës në marrëdhënie, tha ai.
“Presidentët Trump dhe Putin e respektojnë njëri-tjetrin dhe shkojnë mirë. Nuk ka agjendë të qartë. Do të përcaktohet nga vetë krerët e shteteve”, shtoi Peskov.
Samiti në Helsinki po ashtu zhvillohet nën hijen e një mjedisi të ndarë politik në Shtetet e Bashkuara, ku Mueller po udhëheq hetimet për kontakte të mundshme të paligjshme midis agjentëve rusë dhe fushatës së Trumpit në vitin 2016.
Më 13 korrik, Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se një juri e madhe i ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për rolin e tyre në piraterimin e Partise Demokratike në SHBA dhe për publikimin e emailve të vjedhura dhe informacioneve të tjera gjatë fushatës presidenciale.
Shtëpia e Bardhë, më 14 korrik, i refuzoi thirrjet e disa anëtarëve të Kongresit për të anuluar takimin Trump-Putin si pasojë e akuzave, që tani kanë rritur presionin e brendshëm mbi Trumpin që të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Putinit.
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë