Në SHBA, udhëheqja demokrate e Kongresit dhe presidenti Donald Trump u përplasën të martën publikisht në Zyrën Ovale.
Presidenti Trump kërcënoi se do të mbyllë përkohësisht agjencitë qeveritare nëse ligjvënësit nuk i japin fonde të mjaftueshme për murin e premtuar përgjatë kufirit me Meksikën, duke e shpallur këtë si përgjigje ndaj “një emergjence kombëtare.”
“Do të isha krenar nëse e mbyll qeverinë në emër të sigurisë së kufirit,” tha zoti Trump, duke shtuar dy herë: “Jam i vendosur ta marr vetë këtë përgjegjësi”.
“Ne nuk duhet të mbyllim qeverinë për një mosmarrëveshje ndërsa ju doni ta mbyllni,” u përgjigj udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, senator i Nju Jorkut.
Demokratja më e lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e Kalifornisë pati një grindje të gjatë me zotin Trump rreth votave të nevojshme për të miratuar një buxhet dhe për sigurinë kufitare. Zonja Pelosi paralajmëroi se “një mbyllje e qeverisë nuk vlen asgjë.”
“Nuk mendoj se duhet të kemi një debat para mediave për këtë,” shtoi ajo.
“Ne po e bëjmë këtë në mënyrë miqësore”, u përgjigj Presidenti Trump, duke u bërë shkak për një reagim ironik nga ana e zonjës Pelosi.
“Nancy, kam nevojë për 10 vota nga Chuck,” shtoi presidenti.
“Ne kemi shumë mosmarrëveshje këtu,” u përgjigj senatori Chuck Schumer. Më pas ai pati një shkëmbim të ndezur me Presidenti – herë pas here duke mos lejuar që presidenti ta ndërpriste.
“Le të ndalemi pak,” tha zonja Pelosi, duke thënë se ajo dhe senatori Schumer kishin ardhur në Shtëpinë e Bardhë për një diskutim të mirëfilltë për ta mbajtur qeverinë të hapur.
“Le të debatojmë privatisht”, u pajtua senatori Schumer.
“Kemi nevojë për një mur. Muri është pjesë e sigurisë së kufirit,” tha Presidenti Trump.
“Kjo nuk është e vërtetë,” u përgjigj zonja Pelosi dhe senatori Schumer përsëri u shpreh dakord.
“Zgjedhjet kanë pasoja, zoti President”, tha më vonë senatori në lidhje me zgjedhjet e mesmandatit të këtij viti, në të cilin demokratët arritën të marrin 40 vende në Dhomën e Përfaqësuesve duke rifituar kontrollin e saj.
Zoti Trump pranoi se zgjedhjet kanë pasoja, duke vënë në dukje fitoren e tij në vitin 2016 kundër demokrates Hillary Clinton si dhe atë të republikanëve në Senat. Ai u mburr gjithashtu se republikanët arritën ta ruajnë kontrollin e Senatit në nëntor madje e shtuan diferencën në 53 me 47.
Duke dalë nga Shtëpia e Bardhë, Schumer dhe Pelosi bënë deklarata të shkurtra dhe iu përgjigjën disa pyetjeve të gazetarëve.
“Mbyllja e qeverisë nga zoti Trump është diçka që mund të shmanget”, tha zonja Pelosi.
“Presidenti e bëri të qartë se ai dëshiron një mbyllje,” tha zoti Schumer dhe paralajmëroi se nëse Trump ngul këmbë për të kërkuar 5 miliardë dollarë për murin kufitar “ai do të marrë mbylljen, por pa murin”.
Shkëmbimi i fjalëve në Shtëpinë e Bardhë, në të vërtetë, ishte “një dialog konstruktiv”, sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. “Presidenti Trump ishte mirënjohës që pati rast që media të lejohej në takim, në mënyrë që amerikanët të shohin vetë se ndërsa republikanët luftojnë për të mbrojtur kufirin, demokratët luftojnë për të mbrojtur emigrantët e paligjshëm. Kjo administratë gjithmonë do të vendosë amerikanët të parët.”
Krerët demokratë i kanë ofruar presidentit 1.3 miliard dollarë për projektin e tij kufitar. Zoti Trump ka kërkuar 5 miliardë, megjithëse më parë kishte insistuar në mënyrë të përsëritur që Meksika do të paguante.
Zonja Pelosi, që pritet të bëhet kryetare e Dhomës në janar, e ka cilësuar murin e planifikuar nga Presidenti Trump si diçka “e pamoralshme”.
Para takimit presidenti paralajmëroi në Twitter se murin do ta ndërtonte ushtria amerikane nëse demokratët nuk autorizojnë fonde të mjaftueshme për të./voa/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...