Fitorja në zgjedhjet e deritanishme paraprake e ish-presidentit Donald Trump, i cili pritet të jetë kandidati zyrtar për president i Partisë Republikane, rrezikon të prishë marrëveshjen që do të mundësonte miratimin e një fondi prej 106 miliardë dollarësh për të ndihmuar Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, si dhe për të shtrënguar rregullat e emigracionit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, për këtë marrëveshje është punuar tashmë prej muajsh nga Shtëpia e Bardhë dhe senatorët e të dyja partive.
I mbështetur nga votues që e konsiderojnë emigracionin çështjen më të rëndësishme për garën zgjedhore të këtij viti, ish-presidenti Donald Trump, që pritet të jetë kandidati zyrtar për president i Partisë Republikane, fitoi të martën në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër.
“Kemi miliona e miliona njerëz që hyjnë në vendin tonë në mënyrë të paligjshme. Vijnë nga burgjet dhe nga institucionet e shëndetit mendor”, tha zoti Trump.
Fitorja pritet ta inkurajojë ish-presidentin Trump të ushtrojë trysni ndaj ligjvënësve republikanë për të shmangur arritjen e një marrëveshjeje për emigracionin.
Ai tha në mediat sociale javën e kaluar se republikanët nuk duhet të binin dakord për një marrëveshje për kufirin, nëse nuk marrin gjithçka që nevojitet për të ndalur atë që ai e quan ‘pushtim nga miliona njerëz’.
Shtëpia e Bardhë dhe senatorët e të dyja partive kanë punuar prej muajsh për të përgatitur marrëveshjen që do të mundësonte 106 miliardë dollarë ndihma në fushën e sigurisë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
Republikanët këmbëngulin se marrëveshja duhet të përmbajë fondet për të siguruar kufirin dhe për të shtrënguar rregullat e emigracionit.
Javën e kaluar, Presidenti Joe Biden tha se shpresonte që propozimi të miratohej të paktën në Senat.
“Tashmë pyetja i shtrohet Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ligjvënësve republikanë. A janë edhe ata të gatshëm të veprojnë?”, tha presidenti Biden.
Aktivistët për emigracionin janë pesimistë.
“Ligjvënësit republikanë nuk duan të paraqesin politika të drejta që do të sillnin një proces njerëzor dhe të rregullt pranimi në kufi dhe për marrjen e azilit. Në vend të kësaj, shohim se si republikanët e krahut më konservator dominojnë debatin, ndër ta edhe ish-presidenti Trump”, thotë Lia Parada, nga organizata “Immigration Hub”.
Çështja e kufirit mobilizon bazën republikane dhe miratimi i një projektligji që demokratët mund ta konsiderojnë si fitore, mund ta dëmtojë mesazhin e republikanëve në një vit zgjedhor.
“Nuk duan të bëjnë gjëra nga të cilat mund të përfitojë Joe Biden-i dhe që mund ta heqin këtë tematikë nga fushata zgjedhore 2024”, thotë Norman Ornstein, nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes.
Ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë dhe në Gazë, politika e jashtme është bërë më e rëndësishme për amerikanët këtë vit.
Në një anketim të Qendrës NORC të agjencisë së lajmeve Associated Press, politika e jashtme konsiderohet si përparësi kryesore për 2024-ën nga 60% e amerikanëve, krahasuar me 41% vitin e kaluar.
35% e amerikanëve e konsiderojnë emigracionin si shqetësim kryesor, krahasuar me 27% një vit më parë./voa
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...