Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 3 gusht paraqitet para një gjykate federale në Uashington, për t’u përgjigjur për akuzat në lidhje me komplot për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ai pritet të deklarohet i pafajshëm.
Ndaj miliarderit 77-vjeçar veçse janë ngritur akuza edhe në raste të tjera penale, dhe akuzat e reja për komplot rrisin mundësinë e përfshirjes së tij në procedura të tjera ligjore, teksa ai po vazhdon fushatën për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Para gjykatës E. Barrett Prettyman janë vendosur mbrojtëse të metalit , ku arrestimi dhe akuzimi i Trumpit do të bëhet para Kongresit amerikan, që u sulmua nga mbështetësit e tij më 6 janar 2021.
Policia ka rritur prezencën jashtë gjykatës.
Trumpit pritet t’i merren shenjat e gishtërinjve, por jo edhe të fotografohet.
Sipas aktakuzës, Trump dhe gjashtë bashkëpunëtorë të tij të paidentifikuar komplotuan për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Këto janë akuzat më të rënda që seriozisht kërcënojnë mundësinë e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
“Po nisem për në Uashington, për t’u arrestuar se kam sfiduar zgjedhjet e korruptuara dhe të vjedhura”, shkroi ai në rrjetin social, Truth Social, duke përsëritur qëndrimin e tij se këshilltari i posaçëm, Jack Smith, ka përsëritur “gënjeshtrat” lidhur me zgjedhjet e vitit 2020 në aktakuzën që ka ngritur ndaj Trumpit.
Më herët Trump kritikoi atë që e cilësoi si “shndërrim të paprecedentë në armë” të Departamentit amerikan të Drejtësisë, duke akuzuar presidentin Joe Biden, se po tenton që ta akuzojë atë “me sa më shumë krime që mund të shpiken”.
“Por, shpejt më 2024, do të jetë në dorën tonë”, tha ai.
Biden është pyetur nga gazetarët nëse do të ndjekë paraqitjen e Trumpit para gjykatës. Presidenti amerikan është përgjigjur “jo”.
Smith, ish-prokuror për krime lufte në Hagë, ka paraqitur aktakuzën prej 45 faqesh ndaj Trumpit të martën, duke e akuzuar atë për komplot për të mashtruar SHBA-në dhe përpjekje për t’ua marrë të drejtën e votës amerikanëve me pretendimet se ai ka fituar zgjedhjet e vitit 2020.
“Qëllimi i komplotit ishte përmbysja e rezultateve legjitime të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 duke përdorur pretendime, që dihet se janë të rreme, për mashtrime zgjedhore”, thuhet në aktakuzë.
Trump ka qenë në Uashington vetëm një herë pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë, pasi humbi zgjedhjet e vitit 2020./REL
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës