Google ADS

Trump në OKB: Kina duhet të mbahet përgjegjëse për koronavirusin

20:21 | 22 Shtator 2020
Arbresh.info

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e akuzoi Kinën për dështim në frenimin e përhapjes së koronavirusit, i cili është identifikuar për herë të parë në qytetin kinez, Vuhan, në fund të vitit 2019.

Në një fjalim të incizuar para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump tha se Kina i ka lejuar udhëtarët të largohen dhe “të infektojnë botën”.

Ai i përshkroi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara kundër pandemisë së koronavirusit si “mobilizimin më agresiv që nga Lufta e Dytë Botërore”.

“Shtatëdhjetepesë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe themelimit të Kombeve të Bashkuara, ne jemi përsëri të përfshirë në një luftë të madhe globale. Jemi duke zhvilluar një betejë të ashpër kundër armikut të padukshëm, virusit të Kinës, i cili ka marrë jetë të panumërta në 188 vende”.

“Në Shtetet e Bashkuara, ne patëm mobilizimin më agresiv që nga Lufta e Dytë Botërore. Shpejt prodhuam një rekord ventilatorësh, duke krijuar një tepricë që na lejoi t’i ndajmë ata me miqtë dhe partnerët në të gjithë globin”.

“Ne duhet ta mbajmë përgjegjës vendin, i cili e shkaktoi këtë fatkeqësi në botë: Kinën. Në ditët e para të virusit, Kina i ndaloi udhëtimet brenda vendit, ndërsa i lejoi fliturimet jashtë dhe infektoi botën”, tha Trump.

Numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA kaloi të martën 200,000.

Xi: Asnjë vend nuk ka të drejtë të mbizotërojë në çështjet globale

Duke folur shpejt pas Trumpit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Xi paralajmëroi për rreziqet e “përplasjes së civilizimeve”.

“Ne do të vazhdojmë t’i pakësojmë mosmarrëveshjet dhe t’i zgjidhim mosmarrëveshjet me të tjerët përmes dialogut dhe negociatave. Ne nuk do të përpiqemi ta zhvillojmë vetëm veten”, tha Xi.

“Asnjë vend nuk ka të drejtë të mbizotërojë në çështjet globale, të kontrollojë fatin e të tjerëve ose t’i mbajë të gjitha përparësitë e zhvillimit për vete”, shtoi ai.

Tensionet midis SHBA-së dhe Kinës janë të larta për një varg çështjesh, përfshirë: tregtinë, teknologjinë dhe trajtimin që i bën Kina Hong Kongut dhe pakicës myslimane në provincën Ksinjiang.

Këtë vit, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i zhvillon punimet kryesisht virtualisht, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Shumica e udhëheqësve i kanë dorëzuar paraprakisht fjalimet e incizuara.

Punimet e Asamblesë i hapi të martën sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili pa përmendur Kinën ose SHBA-në, tha se “ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur një Luftë të re të Ftohtë”.

“Ne po lëvizim në një drejtim shumë të rrezikshëm. Bota jonë nuk mund të përballojë një të ardhme, ku dy ekonomitë më të mëdha e ndajnë globin me një thyerje të madhe – secila me rregullat e veta tregtare dhe financiare dhe me kapacitetet e internetit dhe të inteligjencës artificiale”, tha Guterres.

Ai tha se nuk ka vend për interes vetjak përballë koronavirusit.

“Populizmi dhe nacionalizmi kanë dështuar. Këto qasje për të frenuar virusin shpesh i kanë bërë gjërat dukshëm më keq”, tha Guterres.

Në fjalimin e tij, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se dëshiron mbajtjen e një konference online sa më shpejt që të jetë e mundur, për të diskutuar bashkëpunimin global rreth vaksinave kundër koronavirusit dhe mënyrës së shpërndarjes së tyre.

Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 31 milionë njerëz.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, prej tyre mbi 966,000 kanë vdekur dhe mbi 21 milionë janë shëruar./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme