Trump: Mosrespektimi i Gjermanisë si strategji

07:07 | 27 Gusht 2019
Arbresh.info

Fillimisht samiti i G-7 në Francë, pastaj një vizitë në Poloni. Për një udhëtim në Gjermani, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka pasur deri tani kohë. Ekspertët e shohin këtë si pjesë të një strategjie më të gjerë.

Që nga fillimi i samitit në Biarritz Presidenti amerikan Trump tregohet i entuziazmuar në Twitter. “Kemi takime shumë të mira, udhëheqësit kuptohen shumë mirë,” shkruan ai në rrjetin e mesazheve të shkurtra.

Një drekë dyorëshe me Macronin ai e quajti “takimin më të mirë që kemi pasur deri tani”. Franca dhe Macroni sipas tij kishin bërë një punë të shkëlqyer deri tani në një samit “shumë të rëndësishëm”. Një takim dypalësh me Kancelaren Gjermane në kuadër të samitit deri vonë nuk ishte planifikuar.

Pas samitit, në fund të gushtit Trumpi do të vizitojë një vend tjetër evropian: Poloninë. Atje ai do të marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të Luftës së Dytë Botërore 80 vjet më parë.

Kurse Gjermania nuk është në planin e udhëtimeve të tij. Gjithashtu, Trump nuk tregoi fillimisht përsëri asnjë angazhim për të takuar kancelaren Merkel në kontekstin e këtij apo të një udhëtimi të mëvonshëm.

Kjo përshtatet në tabllo: në më shumë se dy vjet të mandatit të tij, Trumpi e ka takuar Merkelin vetëm një herë në Gjermani – në samitin e G-20-s, në vitin 2017 në Hamburg. Ndërsa mysafir i saj në Berlin ai nuk ka qenë kurrë.

SHBA dhe Gjermania: raport që është bërë i vështirë

Kjo në një kohë kur lista e temave të bisedës do të ishte shumë e gjatë. Në të do të kishte mbi të gjitha tema të ngarkuara me konflikte – siç janë shpenzimet për mbrojtjen e Gjermanisë, qëndrimi ndaj Iranit, tubacioni i gazit Nord Stream 2 me Rusinë. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara vërtet që kanë ende shumë gjëra të përbashkëta, por kohët e fundit kanë megjithatë gjithnjë e më shumë dallime.

Trumpi dhe Merkeli nuk kanë dallime të rëndësishme vetëm në politikë. Edhe harmonia midis të dyve konsiderohet jo veçanërisht e mirë. Në ngjarjet përkujtimore për D-Day këtë verë, Trumpi nuk i ofroi Merkelit as një shtrëngim duarsh.

“Stil drejtues transaksional”

Refuzimi ndaj Gjermanisë si dhe anulimi nga Trumpi i një udhëtimi të planifikuar në Danimarkë në shtator, për shkak të refuzimit të Danimarkës për të shitur Groenlandën, janë tipike për “stilin e udhëheqjes transaksionale” të Trumpit, “thotë eksperti amerikan Josef Braml i Shoqatës Gjermane për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Ai e sheh veten si shef, formulon qëllime dhe kërkesa të qarta dhe i shpërblen ose i dënon vartësit me avantazhe ose disavantazhe, kur ata nuk i plotësojnë kërkesat e tij,” tha Braml në një intervistë për DW.

Roli i brishtë i preferuar i Polonisë

“Kjo është arsyeja pse Gjermania dhe Danimarka po ndëshkohen me mungesë vëmendjeje, kurse Polonia për momentin ka qenë në gjendje të ketë sukses te presidenti amerikan,” shtoi ai.

Kjo ka pasoja: ndërsa ndikimi i Berlinit në Uashington po zvogëlohet, Varshava e ka përmirësuar ndjeshëm profilin e saj transatlantik që nga koha kur Trump mori postin. “Polonia ka më shumë ndikim se Gjermania, dhe unë do ta quaja Poloninë partnerin e dytë më të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara pas Mbretërisë së Bashkuar”, i thotë ARD-së, Nile Gardiner nga “Fondacioni Heritage” në Uashington.

Ndërkohë, Bramli e paralajmëron Poloninë dhe vendet e tjera që të mos mbështeten shumë në marrëdhëniet e reja diplomatike me Shtetet e Bashkuara. “Miqtë e tanishëm të Trumpit në Evropën Lindore nuk duhet të gabohen. Herët a vonë do të jetë e rëndësishme për gjeostrategjistët amerikanë të pajtojnë interesat amerikane dhe ruse, në mënyrë që të frenojnë veprimtarinë e gjerë të Kinës,” thotë Braml në bisedë me DW.
Strategjia: përçarja e BE
Zakoni i ri i mospërfilljes së vendeve ekonomikisht të forta evropiane, dhe përkundrazi duke i kushtuar vëmendje të veçantë atyre vendeve që kanë një marrëdhënie veçanërisht të vështirë me Brukselin, mund të ketë lidhje me një qëllim të gjerë strategjik – domethënë, për të thelluar hendekun brenda Bashkimit Evropian.
“Itinerari i Trumpit në Evropë është një përpjekje e dukshme për të përçarë BE-në. Qeveria e tij tashmë e ka bërë të qartë. Ajo beson në një politikë të tillë, sepse është kundër multilateralizmit”, thotë në një bisedë me ARD, Jacob Kirkegaard në Institutin Peterson të SHBA për Ekonominë Ndërkombëtare.
Me siguri duhet parë në këtë kuadër, që Trumpi ka mbështetur në mënyrë të përsëritur kryeministrin e ri britanik Boris Johnson. Në të njëjtën kohë, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, ka kërcënuar se SHBA mund të tërheqin trupat e tyre nga Gjermania dhe në vend të kësaj t’i zhvendosin në Poloni.

“Qeveria e Trumpit u përpoq që nga fillimi të fusë një pykë midis shteteve anëtare të BE”, thotë koordinatori transatlantik i Qeverisë Federale, Peter Beyer, në një bisedë me Südwestpresse. “Ne duhet ta marrim seriozisht këtë.”/DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme