Trump mban tubimin e parë në ambjent të hapur që pas atentatit

16:46 | 22 Gusht 2024
A B

Ish-Presidenti Donald Trump mbajti në Karolinën e Veriut tubimin e tij të parë në një mjedis të hapur që pas atentatit ndaj tij muajin e kaluar dhe u përqendrua tek siguria kombëtare.

Zoti Trump ka bërë këtë javë fushatë në shtete që janë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve, në përpjekje për ta larguar vëmendjen nga demokratët dhe Kuvendi i tyre Kombëtar në Çikago.

“Pas 76 ditësh do të fitojmë në këtë shtet dhe do të fitojmë Shtëpinë e Bardhë”, tha zoti Trump duke folur në Muzeun e Aviacionit të Karolinës së Veriut, në një podium të rrethuar me xhama antiplumb që formonte një mur mbrojtës përgjatë skenës.

Snajperët ishin pozicionuar përreth skenës.

Aleatët e kanë nxitur zotin Trump që të përqendrohet tek politikat dhe të mos bëjë sulme personale ndaj Nënpresidentes Kamala Harris. Ish-Presidenti shoqërohej nga kandidati i tij për nënpresident, senatori JD Vance, i cili e portretizoi zonjën Harris si një kandidate të përzgjedhur nga figurat me ndikim të Partisë Demokrate dhe jo nga zgjedhësit dhe kritikoi kandidatin e saj për nënpresident, Guvernatorin e Minesotës Tim Walz, përpara se zoti Trump të dilte në skenë.

Zoti Vance i përqendroi kritikat tek shërbimi ushtarak i zotit Waltz, duke përsëritur se ai e ka shtrembëruar informacionin për shërbimin si anëtar i Gardës Kombëtare dhe ishte tërhequr nga ushtria para se njësia e tij të shkonte në Irak.

Në një shenjë të rëndësisë së Karolinës së Veriut në zgjedhjet e këtij viti, vizita e zotit Trump ishte e dyta në këtë shtet brenda disa ditësh. Të mërkurën e kaluar, ai mbajti atje një fjalim për ekonominë.

Ish-Presidenti fitoi Karolinën e Veriut me një diferencë relativisht të thellë në vitin 2016. Katër vjet më parë, në 2020, ai fitoi përsëri por me një rezultat shumë të ngushtë dhe këtë vit ky shtet konsiderohet përsëri si vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve./VOA/

Të ngjashme