Trump inicion procesin e dorëzimit të pushtetit

11:56 | 24 Nëntor 2020
Arbresh.info

Me javë e bllokoi presidenti, Donald Trump dorëzimin e rregullt të pushtetit dhe përgatitjet për marrjen e mandatit nga ana e Joe Biden. Tani ai hoqi dorë, por ende nuk flet për humbjen.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden më në fund ka qasje në infrastrukturën qeveritare për të përgatitur marrjen e mandatit si president. Presidenti Donald Trump ka lejuar autoritetet përkatëse të bashkëpunojnë me Joe Bidenin.

Drejtuesja e Administratës Federale të SHBA, (General Services Administration, GSA), Emily Murphy “të bëjë çfarë duhet bërë”, për të mbështetur ekipin e përkohshëm të Bidenit, ka shkruar Trump në twitter. Ai i ka thënë edhe ekipit të tij të bëjë të njëjtën gjë.

“Një hap i nevojshëm”

Më parë GSA e kishte kategorizuar Biden si fituesin me gjasë të zgjedhjeve dhe me këtë kishte dhënë dritën e gjelbër për bashkëpunim të ekipit të Trumpit me ekipin e Demokratëve. Përmes kësaj ekipi i Bidenit ka qasje në 6,3 milionë dollarët që janë parashikuar me ligj për dorëzimin pa vonesa të pushtetit. Në të njëjtën kohë punonjësit e Bidenit mund të komunikojnë zyrtarisht me nëpunësit e qeverisë, gjë që më parë nuk u ishte lejuar. “Vendimi i marrë sot është një hap i nevojshëm për t’u përballur me sfidat që ka përpara vendi ynë”, bëri të ditur ekipi i Bidenit.

Trump tregohet luftarak

Më parë ishte konfirmuar zyrtarisht fitorja e Joe Bidenit edhe në shtetin federal Miçigani. Pavarësisht kësaj, Trump nuk e pranon humbjen e zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor dhe pretendon, se fitorja i është “vjedhur” nga mashtrime masive. Edhe të hënën ai u shpreh me siguri për fitoren dhe se do të vazhdojë të luftojë. Por më shumë se 30 padi të avokatëve të tij janë hedhur poshtë nga gjykatat.

Dorëzimi i pushtetit e administratës pas zgjedhjeve presidenciale është i bazuar në ligj në SHBA që prej 60 vjetësh. Në shpjegimin ligjor të nenit të vitit 1963 thuhet se “çdo ndërprerje e dorëzimit të detyrave të pushtetit mund të rezultojë me pasoja, që janë të dëmshme për sigurinë dhe mirëqenien e Shteteve të Bashkuara dhe qytetarëve të saj.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme