Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka akuzuar Kinën, e cila, sipas tij nuk po bënë “asgjë”, për të ndihmuar SHBA-në rreth Koresë Veriore, duke shtuar se “nuk do të lejojë vazhdimin e një gjendje të tillë”.
Trump i ka bërë këto deklarata përmes disa postimeve në Twitter, një ditë pasi Penjani ka testuar një raketë balistike interkontinentale (ICBM), e cila u tha se ka kapacitet të arrijë në tërë territorin e SHBA-së.
Disa orë pas komenteve të Trumpit, forcat ajrore të SHBA-së, kanë thënë se dy bombarduese të tipit B-1B, janë nisur drejt Gadishullit Korean, si përgjigje ndaj testimeve të raketave nga Koreja Veriore.
Sipas ushtrisë, bombardueset u nisën nga baza ajrore në Guam, të cilave iu bashkuan aeroplanët luftarakë të Japonisë dhe Koresë Jugore, në një mision 10-orësh, duke kryer stërvitje të përgjimit.
Përmes komenteve të tij, Trump ka kritikuar administratën e mëparshme të SHBA-së, për lejimin e Kinës që të krijojë marrëveshje tregtare në vlerë të miliarda dollarëve, pavarësisht mungesës së mbështetjes nga Pekini.
“Jam shumë i zhgënjyer me Kinën. Ish-liderët tanë të pamend i kanë lejuar Kinës që brenda vitit të krijojë marrëveshje në vlerë të miliarda dollarëve, edhe pse ata nuk bëjnë ASGJË për ne rreth Koresë Veriore, vetëm flasin. Ne nuk do ta lejojmë vazhdimin e kësaj gjendje. Kina mund ta zgjedhë shumë lehtë këtë problem!”, ka shkruar Trump në Twitter.
Trump dhe liderë të tjerë botërorë, vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kinës, t’i bëjë presion Koresë Veriore rreth programit të saj të raketave balistike, të cilat janë të ndaluara me rezolutë të OKB-së.
Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë më 29 korrik, se i kundërshton “aktivitetet e tilla” të Koresë Veriore, pasi shkelin rezolutën e OKB-së dhe janë kundër “dëshirave të përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar”.
“Në të njëjtën kohë, Kina shpreson që të gjitha partitë të veprojnë me kujdes për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve, në mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti rajonal”, ka shtuar kjo ministri.
Në të kaluarën, Trump ka nisur sinjale të ndryshme sa i përket marrëdhënieve me Kinën.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, ai sulmoi Pekinin, për atë që ai quajti praktika të padrejta tregtare.
Mirëpo, pasi mori drejtimin e zyrës, presidenti amerikan e vlerësoi presidentin kinez, Xi Jinping, duke thënë në prill se “zhvillimi i marrëdhënieve nga presidenti Xi dhe unë mendoj se janë të jashtëzakonshme”.
Zyrtarë nga Koreja Jugore kanë thënë se testimi i fundit i raketës nga Penjani, ka bërë që Seuli të punojë më shpejt në vendosjen e sistemit të mbrojtjes raketore të SHBA-së, THAAD, të cilën Kina e kundërshton fuqishëm.
Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka thënë se testimi i fundit “është bërë për të paralajmëruar SHBA-në, në mënyrë që ajo të kuptojë, se nëse ky vend me mendësi agresore tenton ta provokojë Penjanin, atëherë nuk do të shpëtojë pa ndëshkim”./Arbresh.info/
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...