Kongresi do të vazhdojë negociatat me Shtëpinë e Bardhë në përpjekje për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë. Pasi nuk u arrit dje një gjuhë e përbashkët me udhëheqësit e Kongresit, Presidenti Donald Trump caktoi një grup pune që do të negociojë me ligjvënësit gjatë fundjavës, por gjithashtu deklaroi se është i përgatitur për ta vazhduar mbylljen e qeverisë për muaj të tërë, madje edhe vite. Ai konfirmoi sot në Twitter vendosmërinë e tij për ngritjen e një muri përgjatë kufirit me Meksikën dhe u bëri thirrje demokratëve për të miratuar fondet për këtë qëllim.
Ngritja e një muri përgjatë kufirit me Meksikën vazhdon të jetë fokusi i përplasjes që ka mbyllur pjesë të tëra të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Ngërçi ka hyrë tashmë në javën e tretë.
Pasi u takua me ligjvënësit në Shtëpinë e Bardhë për të dytën herë gjatë kësaj jave, Presidenti Trump tha se ai mundet ta ndërtojë murin edhe pa miratimin e Kongresit.
“Mund të shpallim gjendjen e emergjencës kombëtare dhe ta ndërtojmë me shpejtësi. Kjo është mënyra tjetër si mund të bëhet, por do përpiqemi ta realizojmë njëherë përmes negociatave”, deklaroi Presidenti Trump.
Presidenti kërkon rreth 5 miliardë dollarë për të ndërtuar murin kufitar dhe refuzoi ofertën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për të rihapur qeverinë nëpërmjet një financimi të përkohshëm 30-ditor të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, duke i dhënë kështu më shumë hapësirë negociatave.
“Nuk mundemi ta zgjidhim pa rihapur njëherë qeverinë dhe ja bëmë të qartë këtë Presidentit”, tha zonja Pelosi.
Mbi 800 mijë punonjës federalë janë të pezulluar ose po punojnë pa pagesë. Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha se ai i bëri thirrje Presidentit Trump të mos mbajë peng amerikanët.
“Ai kundërshtoi dhe madje tha se mund ta mbajë qeverinë të mbyllur për një periudhë shumë të gjatë, për muaj madje edhe vite”, tha Senatori Schumer.
Presidenti Trump e konfirmoi deklaratën e tij dhe i ftoi demokratët të dërgojnë negociatorë për t’u takuar me këshilltarët e tij gjatë fundjavës, si dhe sinjalizoi se mund të jetë i hapur për të marrë në konsideratë legalizimin e statusit të emigrantëve të paligjshëm të ardhur në SHBA në moshë të mitur.
Presidenti tha se punonjësit federalë e mbështesin mbylljen e qeverisë.
“Njerëzit që nuk do të marrin rrogën javën e ardhshme, apo gjatë javëve në vazhdim, në të vërtetë thonë: ‘zoti President, vazhdo; kjo është diçka shumë më e rëndësishme’,” tha Presidenti Trump.
Një sindikatë e punonjësve federalë ka ngritur një padi gjyqësore ndaj administratës Trump, bazuar tek fakti se punonjësit janë detyruar të punojnë pa pagë, duke e cilësuar këtë si “asgjë më pak se çnjerëzore”.
Begaj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbështetje ndaj ...
Studim: Jeta në hapësirë nuk dëmton aftësitë mendore të astr...
Në Tuz të Malësisë vendoset busti i Gjergj Kastriotit
Zelensky bën thirrje për një përgjigje të fortë ndaj shantaz...
Real Madridi e fiton “El Classicon” në basketboll
Sipas Haradinajt, opozita do t’i fitojë zgjedhjet