Presidenti amerikan Donald Trump përforcoi “mbështetjen e tij të fortë” për përpjekjet për të rivendosur demokracinë në Venezuelë gjatë një bisede të mërkurën me presidentin e vetëshpallur të përkohshëm Juan Guaido, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Sekretarja e Shtypit Sarah Sanders tha se zoti Trump dhe Juan Guaido u angazhuan gjithashtu për të patur “komunikim të rregullt me qëllimin për të mbështetur Venezuelës në rrugën drejt stabilitetit si dhe për të rindërtuar marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Më herët Presidenti Donald Trump tha se Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro, zgjedhja e të cilit kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara, është i gatshëm të negociojë me kundërshtarët e tij për të zgjidhur krizën politike në vend. Por zoti Trump paralajmëroi amerikanët të mos udhëtojnë drejt Venezuelës “deri në një njoftim tjetër”.
Në një postim në Twitter të mërkurën në mëngjes zoti Trump iu referua ofertës së Maduros për të mbajtur bisedime me forcat opozitare të vendit dhe zgjedhje të parakohshme. Ai shtoi se kërcënimi i sanksioneve amerikane, që përfshin prerjen e të ardhurave nga nafta për Venezuelën, kontribuoi sipas tij në qëndrimin e zbutur në dukje të Maduro-s.
Nicolas Maduro e bëri ofertën të mërkurën herët në mëngjes gjatë një interviste me agjencinë ruse të lajmeve “RIA”. Ai tha se është i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve “për të mirën e Venezuelës”. Por sipas tij nuk do të ketë zgjedhje të reja presidenciale deri në vitin 2025, duke hedhur poshtë kërkesën e udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, që është president i Asamblesë Kombëtare, e cila kontrollohet prej opozitës.
Juan Guaido u vetëshpall president i përkohshëm i vendit javën e kaluar pasi Asambleja shpalli presidencën e Maduro-s si të paligjshme, duke argumentuar se rizgjedhja e tij në maj të 2018-s nuk ishte e drejtë, në kushtet kur shumica e kandidatëve të opozitës ose u penguan të konkurojnë ose e bojkotuan garën. Shtetet e Bashkuara njohin Juan Guaido-n si udhëheqës të përkohshëm të vendit.
Gjatë postimit në twitter Presidenti Trump vuri në dukje gjithashtu se Juan Guaido “është vënë nën shënjestër nga Gjykata e Lartë e Venezuelës”, duke iu referuar një kërkese nga Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Tarek William Saab, për të parandaluar Juan Guaido-n të largohet nga vendi si dhe për bllokimin e llogarive të tij financiare. Tarek William Saab njoftoi të martën se po nis një hetim penal mbi aktivitetet e Juan Guaidos kundër qeverisë socialiste të Presidentit Maduro, për shkak të trazirave që pasuan vetëshpalljen e tij si president i vendit.
Në një postim të Twitter të martën këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton paralajmëroi Tarek William Saab-in se kërkesa e tij për të mos lejuar Juan Guaido-n të largohet nga Venezuela, mund të ketë “pasoja të rënda”.
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...
Kurti: Prapa sulmit terrorist në Ibër Lepenc qëndron Millan ...