Presidenti amerikan Donald Trump pritet të nënshkruajë të paktën katër urdhra ekzekutivë këtë javë, duke u bërë kështu presidenti që nënshkruan më shumë urdhra të tillë (28) në 100 ditët e para në detyrë se çdo paraardhës i tij pas Frenklin Ruzveltit.
Një analizë e faqes elektronike “Politifact” tregon se ish-Presidenti Ruzvelt ka nënshkruar 76 urdhra ekzekutivë në 100 ditët e para në detyrë në vitin 1933.
“Presidenti Trump ka nënshkruar një numër rekord urdhrash ekzekutivë”, tha të hënën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
Të 28 urdhrat ekzekutivë që ka nënshkruar zoti Trump që kur mori detyrën më 20 janar, kanë pasur kryesisht si synim reformimin e sistemit regullator, kufizimin e kalimit të paligjshëm të kufirit dhe hapjen e vendeve të punës.
Shumë prej tyre nuk kanë pasur një efekt të menjëhershëm, por kanë shënuar fillimin e një procesi rishikimi që mund të sjellë ndryshime në të ardhmen.
Katër urdhrat që zoti Trump do të nënshkruajë këtë javë, e çojnë numrin e përgjithshëm në 32, përfshirë një urdhër që bën thirrje për rishikimin e Ligjit të Antikiteteve të vitit 1906, që lejon një president të mbrojë territore me vlerë historike apo shkencore duke i shpallur monumente kombëtare.
Presidenti Barack Obama e kishte përdorur shpesh këtë ligj, së fundmi në dhjetor të vitit të kaluar, disa javë para se t’i mbaronte mandati, kur ndaloi shpimet e naftës në një territor prej 650 mijë hektarësh në Nevada dhe Utah, që mendohet se është i pasur me objekte hitorike të indianëve të Amerikës.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë nuk e përmendi me emër administratën e Presidentit Obama, duke thënë vetëm se “administrata të mëparshme e kanë përdorur më shpesh se ç’duhet ligjin, duke përfshirë hapësira të mëdha toke, shumë më tepër se sa është e nevojshme për t’u mbrojtur”.
Një tjetër urdhër vë në lëvizje të ashtuquajturën Strategji për Shfrytëzimin e Burimeve Energjitike Ujore, që përfshin një rishikim të politikave të energjisë kryesisht nga presidenca e zotit Obama, që kufizonin numrin e objekteve për eksplorim dhe shpim për naftë dhe gaz në det.
Presidenti Trump e kishte akuzuar shpesh zotin Obama gjatë fushatës presidenciale se kishte anashkaluar procesin legjislativ përmes urdhrave ekzekutivë, duke vendosur rregulla që nuk do të ishin miratuar dot në Kongresin e mbizotëruar nga republikanët e opozitës.
Zoti Obama nënshkroi 276 urdhra ekzekutivë gjatë presidencës së tij, më pak se çdo president tjetër në kohërat moderne që ka shërbyer për dy mandate. Kjo do të thotë se ai ka nënshkruar mesatarisht më pak se 35 urdhëra ekzekutivë në vit, më pak se çdo president tjetër që nga koha e Grover Clevelandit në shekullin e 19-të.
Historiani Max Skidmore në universitetin “Missouri-Kansas City” thotë se urdhrat ekzekutivë janë një metodë e përdorur shpesh për të plotësuar objektiva që nuk kanë mbështetje poliitike. Profesor Skidmore, që ka shkruar një libër për kompetencat presidenciale, përmend si shembull Deklaratën e Emancipimit të nënshkruar nga Presidenti Abraham Lincoln në vitin 1863 në kulmin e Luftës Civile, ose urdhrin e Presidentit Harry Truman që i dha fund politikës së ndarjes racore në ushtri në vitin 1948.
“Kur presidenti Truman shfuqizoi ndarjen racore në ushtri, as që nuk diskutohet që Kongresi nuk do ta miratonte”, i tha prof. Skidmore Zërit të Amerikës.
“Kongresi ishte nën kontrollin e demokratëve ultrakonservatorë në vitet 1940 që nuk do ta kishin miratuar kurrë një ligj të tillë. E vetmja mënyrë për ta realizuar këtë synim, ishte përmes urdhrit ekzekutiv”, shpjegon profesori.
John Hudak, një studies për qeverisjen në Institutin Brookings thotë se është normale që të ketë një fluks urdhrash ekzekutive në fillim të çdo presidence, kur administrata e re përpiqet të zhbëjë punën e presidentit të mëparshëm.
Politika në Shtetet e Bashkuara ka një marrëdhënie të çuditshme me urdhrat ekzekutivë, thotë Hudak.
“Çdo kandidat për president i urren urdhrat ekzekutivë, por çdo president i pëlqen ato, ashtu si edhe partia në pushtet që ka Shtëpinë e Bardhë. Por sa lënë Shtëpinë e Bardhë, bëhen kritikët e tyre më të ashpër”. /VoA
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor