Ish-Presidenti Donald Trump fitoi zgjedhjet paraprake republikane në shtetin Nju Hempshër të martën, duke përforcuar edhe më tej mundësinë për të marrë emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Rezultati shënon një hap prapa për ish-ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila investoi kohë dhe burime të konsiderueshme financiare për ta mundur zotin Trump.
Zonja Haley ishte sfiduesja e fundit në garën republikane pasi guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i dha fund fushatës së tij presidenciale gjatë fundjavës, çka i mundësoi asaj të bënte fushatë si alternativa e vetme përballë zotit Trump.
Kandidatja Haley i intensifikoi kritikat ndaj ish-presidentit, duke vënë në pikëpyetje mprehtësinë e tij mendore dhe paraqitur veten si një kandidate unifikuese që do të sillte ndryshime për brezat e ardhshëm. Por fushata e saj nuk tërhoqi votues të mjaftueshëm.
Zoti Trump mund të mburret si kandidati i parë presidencial republikan që fiton garat e hapura në Ajova dhe Nju Hempshër që kur dy shtetet filluan të udhëheqin kalendarin zgjedhor në vitin 1976. Nëse zoti Trump merr emërimin e Partisë Republikane kjo do të ishte hera e tretë që ai kandidon për Shtëpinë e Bardhë.
Fitoret e lehta në të dy shtetet tregojnë aftësitë e zotit Trump për të bashkuar rreth vetes rrymat e ndryshme republikane. Ai fitoi mbështetjen e konservatorëve evangjelistë që kanë ndikim tek votuesit më të moderuar në shtetet Ajova dhe Nju Hempshirë, çka ai shpreson ta përsërisë ndërsa zgjedhjet paraprake zgjerohen edhe në shtetet e tjera amerikane.
Zonja Haley nuk ishte në gjendje të përfitonte nga tradita më e moderuar politike që ka shteti Nju Hempshirë. Përpjekja e saj për t’u bërë bartësja e standardit republikan po zbehet me shpejtësi. Ajo do të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake republikane në Karolinën e Jugut më 24 shkurt.
Ish-guvernatorja e këtij shteti shpreson se një fitore e dukshme në Karolinën e Jugut do t’i jepte vrull fushatës së saj drejt garës paraprake të Super të Martës më 5 mars.
Por në një shtet thellësisht konservator, ku zoti Trump gëzon popullaritet të madh, mund të jetë i vështirë realizimi i ambicieve të zonjës Haley dhe humbja në shtetin e saj mund të ketë pasoja politike për të./voa/
Arabi Saudite/ Arrihet marrëveshja 2.5 miliardë dollarëshe p...
Për të tretin vit me radhë, Ballkani dominues në futbollin k...
Aksident në Dubravë të Suharekës, pesë persona të lënduar
Shqipëria konkretizon këtë vit kryerjen e transaksioneve me ...
Abdixhiku me telegram ngushëllimi për familjen Berisha: Kont...
Ramush Haradinaj shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të ...