Ish Presidenti Donald Trump fitoi zgjedhjet brenda kampit republikan në shtetin e Karolinës së Jugut të shtunën, duke mundur ish ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley, në shtetin e saj të origjinës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, zonja Haley u zotua ta vazhdojë fushatën deri në atë që njihet si “Super e Marta” në fillim të marsit, kur pesëmbëdhjetë shtete do të zhvillojnë votime paraprake për të zgjedhur kandidatin republikan për president.
Një tjetër fitore për ish Presidentin Donald Trump që synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë.
“Një fitore edhe më e madhe nga sa prisnim”, deklaroi zoti Trump.
Konkurrentja e tij e vetme në garën për të marrë emërimin e Partisë Republikane, Nikki Haley, nuk arriti të fitojë në shtetin e saj të lindjes, ku ajo kishte shërbyer si guvernatore. Por ajo u tha mbështetësve se fushata e saj do të vazhdonte.
“Ka një numër të madh votuesish në zgjedhjet tona paraprake republikane që thonë se duan një alternative”, deklaroi ajo.
Zonja Haley thotë se ajo është një alternativë për votuesit që nuk duan të shohin një garë mes zotit Trump dhe Presidentit Joe Biden në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, duke argumentuar se ajo është një alternativë më e re dhe më energjike.
“Ajo bëri një punë shumë mirë në Kombet e Bashkuara si drejtuese. Mendoj se ajo ka përgatitje të mirë për politikën e jashtme dhe do të ishte një udhëheqëse e mirë. Ajo ka moshën e duhur”, thotë Scott Reeves, mbështetës i zonjës Nikki Haley.
Votues të tjerë të Karolinës së Jugut e kritikuan zonjën Haley si pjesë e elitës politike, ndërsa nuk pranuan të thonë se për kë votuan.
“Ajo i shërben interesave të caktuara, mendimet e saj ndryshojnë në bazë të kontribuesit më të madh, vota e saj shkon për atë që e paguan më shumë”, thotë Candace Huss, votuese republikane në Karolinën e Jugut.
Mbështetësit e zotit Trump në Karolinën e Jugut thonë se ai nuk po kandidon për pushtet por për të përmirësuar jetën e amerikanëve.
“Ai do ta bëjë ekonominë më të fortë. Do të largojë nga administrata njerëzit që kryejnë krime”, thotë Mike Datret, mbështetës i zotit Trump.
Një fitore në shtetin e saj të origjinës do të kishte rritur shanset për zonjën Haley, por ajo tashmë po pret me padurim atë që njihet si “Super e Marta”, ku pesëmbëdhjetë shtete do të zhvillojnë votime paraprake për të zgjedhur kandidatin republikan për president.
Mbështetësit e zonjës Haley në Karolinën e Jugut ende besojnë se ajo do të ketë sukses.
“Unë jam krenare kur flet ajo, që nuk thotë gjëra të tmerrshme për të gjithë. Ajo duket se është një person i zgjuar”, thotë Flo Phillips, mbështetëse e zonjës Nikki Haley
Disa votues brenda kampit republikan të Karolinës së Jugut thonë se edhe nëse zoti Trump është kandidati kryesor, katër çështjet gjyqësore penale në pritje kundër tij mund ta ndryshojnë dinamikën e garës.
“Po sikur ta fusin në burg para zgjedhjeve? Atëherë çfarë ndodh? Pra, kjo do të thotë se Nikki Haley mund të jetë kandidatja e ardhshme republikane, por nuk jam i sigurt”, thotë Mike Kelsch, votues republikan në Karolinën e Jugut./VOA/
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok