Google ADS

Trump e ndoqi drejtpërdrejt sulmin ushtarak ndaj Houthi – Shtëpia e Bardhë publikon foto

12:24 | 16 Mars 2025
E.G

Presidenti i SHBA-së Donald Trump nisi dje sulme të mëdha ushtarake kundër Houthive të Jemenit të mbështetur nga Irani lidhur me sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq, duke vrarë të paktën 31 persona në fillimin e një sulmi që pritet të zgjasë me ditë.

Trump paralajmëroi gjithashtu Iranin, mbështetësin kryesor të Houthi, se duhet të përfundojë menjëherë mbështetjen e tij për grupin.

Ai tha se nëse Irani kërcënon SHBA-në, “do t’i mbajë plotësisht përgjegjës nuk do t’i trajtojë me mirësi”.

Bëhet e ditur se Shtëpia e Bardhë publikoi fotografi që tregojnë Trumpin duke parë sulmin.

Irani i quajti sulmet “barbare” dhe tha se “i dënon fuqishëm”.

“Irani dënon fuqishëm sulmet barbare ajrore të kryera nga SHBA”, thuhet në një deklaratë nga diplomacia iraniane.

Komandanti i Përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit u përgjigj sot duke thënë se Houthit janë të pavarur dhe marrin vendimet e tyre strategjike dhe operacionale.

“Ne paralajmërojmë armiqtë tanë se Irani do të përgjigjet me vendosmëri nëse ata i zbatojnë kërcënimet e tyre”, tha Hossein Salami.

Raportohet se sulmet amerikane – për të cilat një zyrtar amerikan tha se mund të zgjasin me javë – përfaqësojnë operacionin më të madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme që kur Trump mori detyrën në janar.

Ato filluan në një kohë kur SHBA rriti presionin me sanksione ndaj Teheranit në një përpjekje për ta sjellë atë në tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor.

“Për të gjithë terroristët – koha juaj ka mbaruar dhe sulmet tuaja duhet të ndalen, duke filluar nga sot, ferri do të bjerë mbi ju”, tha Trump.

Ndryshe, Houthi, një lëvizje e armatosur që ka marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Jemenit gjatë dekadës së fundit, kanë nisur dhjetëra sulme ndaj anijeve në brigjet e Jemenit në shenjë solidariteti me popullin e Gazës.

Sulmet e rebelëve ndaj anijeve filluan në nëntor 2023, duke ndërprerë tregtinë globale dhe duke detyruar ushtrinë amerikane të nisë një fushatë të kushtueshme të përgjimeve të raketave dhe dronëve që shkatërruan furnizimet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së.

Një zëdhënës i Pentagonit tha se Houthit kanë sulmuar anijet luftarake të SHBA-së 174 herë dhe anijet tregtare 145 herë që nga viti 2023. /Telegrafi/

Të ngjashme

Foto lajm