Presidenti Donald Trump akuzoi Departamentin e Drejtësisë të premten se ishte përpjekur për ta futur në kurth, duke i vendosur një “spiun” në fushatën e tij të vitit 2016, një pohim që vetë avokati i tij, tha se mund të mos jetë i vërtetë.
Duke i dhënë zë një teorie që po qarkullon në qarqet konservatore, zoti Trump citoi një postim në twitter të gazetarit të Fox News-it, David Asman, që shkruante: “mesa duket Departamenti i Drejtësisë ka vendosur një spiun në fushatën e zotit Trump. Kjo nuk është bërë kurrë më parë, për asnjë arsye. U bë me qëllimin për ta futur në kurth Donald Trumpin, për krime që nuk i ka kryer”.
Por avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani, hodhi dyshime rreth kësaj çështjeje.
I pyetur nëse kishte patur një “informator” në fushatën presidenciale të vitit 2016, zoti Giuliani i tha rrjetit mediatik CNN: “nuk e di me siguri as presidenti, nëse ka patur vërtet një të tillë”, megjithëse ai tha se prej kohësh ka patur zëra për “një lloj infiltrimi”.
Javën e kaluar, revista konservatore “National Review”, ngriti pikëpyetje rreth futjes së një agjenti të mundshëm të FBI-së në fushatën e zotit Trump. Artikulli përmend punën e bërë nga ligjvënësi Devin Nunes, një përkrahës i zjarrtë i zotit Trump dhe kryetar i komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili ka kërkuar informacion lidhur me një burim të FBI-së për hetimet lidhur me Rusisë.
Në një shkrim të gazetës “New York Times” këtë javë, thuhej se të paktën një informator i qeverisë është takuar disa herë me Carter Page dhe George Papadopoulos, të dy ish-këshilltarë për politikën e jashtme gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump. Gazeta i referohej si burim zyrtarëve aktualë dhe ish zyrtarëve të FBI-së.
Gjithashtu të premten, zoti Giuliani tha se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller i ka ngushtuar subjektet e tij të hetimit nga pesë në dy, ndërsa vazhdojnë negociatat nëse presidenti do të intervistohet prej tij lidhur me hetimin për Rusinë.
Zoti Mueller po heton lidhur me një koordinim të mundshëm mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës së zotit Trump.
Sipas zotit Giuliani ekipi ligjor i zotit Trump nuk pret që ai të pyetet për avokatin e tij personal Michael Cohen, i cili po përballet me një hetim të veçantë kriminal në Nju Jork. Zoti Giuliani nuk dha shumë detaje shtesë, duke thënë se disa pyetje janë ende “subjekt negociatash”./VoA/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...