Presidenti amerikan Donald Trump denoncoi të martën Rachel Crooks si dhe Washington Post-in për botimin e një artikulli që lidhet me akuza seksuale ndaj tij. Rachel Crooks është një nga 19 gratë që e kanë akuzuar zotin Trump për sulme seksuale.
Artikulli në “Washington Post” ofron një tregim të detajuar të asaj çka pretendohet të ketë bërë zoti Trump. Në shkrim thuhet se në 11 janar të vitit 2006, zoti Trump e puthi me forcë Rachel Crooks-in, në atë kohë 22-vjeç, ndërsa të dy ishin duke pritur për një ashensor në Trump Tower në Nju Jork.
Por ashtu sikurse për pretendime të tjera, zoti Trump i ka mohuar akuzat në një koment në twitter të martën.
“Një grua që unë nuk e njoh dhe që kurrë nuk e kam takuar, ka dalë në faqen e parë të lajmeve të rreme të Washington Post-it duke thënë se unë e kam puthur (për dy minuta) në hollin e Trump Tower 12 vjet më parë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë! Kush do ta bënte këtë në një hapësirë publike dhe nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë? Një tjetër akuzë e rreme! Pse Washington Post-i raporton historinë e grave që marrin para për të sajuar histori rreth meje? Njëri i pagoi kredinë e shtëpisë asaj. Vetëm FoxNews-i e raportoi… dhe kjo nuk i përshtatet rrëfimit të mediave kryesore“, shkruan ai.
Në përgjigje të komenteve të presidentit republikan, Rachel Crooks, i cila do të kandidojë për demokratët për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve, sfidoi zotin Trump duke i kërkuar të publikohen videon e ngjarjes së dyshuar.
“Ju lutem, patjetër, publikoni pamjet e korridorit të ashensorit në katin e 24-të, në mëngjesin e 11 janarit 2006. Le ta qartësojmë këtë për të gjithë. Janë gënjeshtarët si ju në politikë që më kanë bërë të kandidoj”, tha ajo.
Shumica e akuzave nga gratë e tjera për abuzim seksual ku përshkruhen incidentet që përfshijnë pesë dekada, u bënë pasi zoti Trump nisi fushatën për president në vitin 2015.
Zoti Trump i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i quajtur ato “tërësisht trillime”. Para disa kohësh ai shkroi në twiter se “askush nuk ka respekt për gratë më shumë se ai”./VoA/
Guxo dënon sulmin në veri: Republika e Kosovës nuk iu nënsht...
Këshilli i Sigurisë me masa për sigurinë pas shpërthimit në ...
Parashikimi i motit në Shqipëri, ulen temperaturat, vranësir...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Sigurohet furnizimi i rregullt me rrymë për vendin dhe ngroh...
Mundësohet furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali ...