Trump: CNN përfaqëson shumë keq kombin tonë në botë

11:54 | 26 Nëntor 2017
Arbresh.info
“Fox News, është më shumë i rëndësishëm se CNN në SHBA, por CNN International është ende një burim i lajmit të rremë dhe përfaqëson shumë keq kombin në botë”
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbrojtur idenë e tij se kanali CNN International TV është një “burim i lajmit të rremë” dhe sipas tij përfaqëson keq në botë SHBA-në, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim në llogarinë e tij në Twiter, Trump është shprehur se “Fox News, është më shumë i rëndësishëm se CNN në SHBA, por CNN International është ende një burim i lajmit të rremë dhe përfaqëson shumë keq kombin në botë. Bota e jashtme nuk e shikon dot të vërtetën nga ata”. Ky postim ka marrë retweet nga më shumë se 17 mijë përdorues, ndërsa janë përgjigjur rreth 36 mijë të tjerë.

Ndaj postimit të Trumpit ka patur reagime nga mijëra përdorues, ndërsa edhe televizioni CNN ka reaguar, si një përgjigje ndaj presidentit Trump. “Përfaqësimi i SHBA-ve përballë botës nuk është detyrë e CNN, por detyra juaj. Puna jonë është të bëjmë lajm”, ka theksuar CNN, duke u kundërpërgjigjur.

“Na vjen keq, por gaboheni”

Gjithashtu ndaj postimit të Trumpit kanë reaguar punonjësit e CNN, duke përfshirë edhe ish-zëdhënësin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes (Pentagon), John Kirby. “Na vjen keq, por gaboheni. Këtë e shpreh jo vetëm si një punonjës i CNN, por edhe si ish-zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Pentagonit. CNN (CNN International) është një kanal me gazetarë dhe punonjës të standardit botëror, të cilët rrezikojnë jetën e tyre për të sjellë lajme të rëndësishme nga vendet kyçe. Nuk ka asgjë që të konsiderohet gënjeshtër në atë që ata bëjnë”, është shprehur Kirby.

Pasi javën e kaluar qeveria e Trumpit iu drejtua gjykatës për procedurën e blerjes së Time Warner që është institucioni kryesor i CNN nga kompania e teknologjisë së komunikimit AT&T, rriti edhe më shumë tensionin mes Trump dhe CNN që vazhdon që prej garës presidenciale.

Ndërkohë Departamenti Amerikan i Drejtësisë kërkoi që blerja të ndërpritet me arsyetimin se do të “krijojë një monopol të medias në SHBA”. Gjithashtu edhe Trump kishte bërë të ditur se ishte kundër shitjes, por ai nuk do të përfshihej në këtë procedurë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme