Ish-presidenti Donald Trump bëri fushatë të martën në Miçigan duke premtuar “ta bëjmë Amerikën të sigurt përsëri”, ndërkohë që demokratët vazhdojnë Kuvendin e tyre në Çikago ku do shpallin zyrtarisht Nënpresidenten Kamala Harris si kandidate për nënpresidente dhe ku shumë nga folësit kanë përmendur problemet e tij ligjore.
Duke bërë fushatë në një shtet me rëndësi vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve, zoti Trump sulmoi Nënpresidenten Harris, një ish-Prokurore të Përgjithshme të Kalifornisë, duke thënë se nëse fiton ajo do “të sjellë krim, kaos, shkatërrim dhe vdekje”.
“Do të shihni nivele krimi që nuk i keni parë kurrë më parë. … Unë do të vendos ligjin, rendin, sigurinë dhe paqen.”
Zoti Trump është përpjekur në javët e fundit të zbehë entusiazmin që ka ngjallur zonja Harris, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara dhe e mbështeti atë si kandidate.
Tubimi i ish-Presidentit Trump të martën ishte në vazhdën e disa aktiviteteve që kishin si objektiv paraqitjen e vizionit të tij për çështje të caktuara që shqetësojnë votuesit.
Por zoti Trump i ka përdorur këto raste për të sulmuar personalisht zonjën Harris dhe duke goditur Presidentin Biden.
Të martën në Miçigan, ish-Presidenti paraqiti një tablo të zymtë të jetës në Shtetet e Bashkuara dhe foli për rrezikun e një presidence të zonjës Harris, megjithëse nuk dha shembuj konkretë.
“Është çmenduri. Nuk mund të dalësh në rrugë për të blerë bukë. Të godasin, të grabisin, të përdhunojnë … është koha për ndryshim.”
Imazhi i zotit Trump duke bërë pretendime të tilla, i rrethuar nga oficerë të zbatimit të ligjit që e mbështesin atë, ishte në kontrast të plotë me Kuvendin e demokratëve.
Folësit në këtë Kuvend, u kujtuan amerikanëve se zoti Trump është ish-Presidenti i parë i shpallur fajtor për krime të rënda, dhe ende përballet me akt-padi të shumta, përfshirë për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. /VOA
Murati: Do të përkrahim punëtorët e sektorit privat
Helikopteri godet ndërtesën e spitalit në Turqi, konfirmohen...
“Nuk ia ndjen hiç për mua”, Gjesti i acaruar me Xhenetën, te...
Krasniqi: Jemi angazhuar për një klimë më të mirë për të bër...
Shqipëria do ta mbyll për një vit, reagon TikTok – kërkon sq...
Nga transferimit tek Cluji, humbja e babait deri tek mosftes...