Trump akuzon Zelenskyn: Po merr miliardat, por po refuzon arritjen e marrëveshjes

09:51 | 26 Shtator 2024
K.B

Kandidati republikan për president amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se po merr miliarda dollarë nga Shtetet e Bashkuara dhe, njëkohësisht, nuk po pranon ta “bëjë një marrëveshje” për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Trump, i cili e ka kritikuar ashpër Uashingtonin për furnizimin e Kievit me ndihma, tha se Ukraina është dashur të bënte lëshime para presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në muajt para se Rusia ta niste pushtimin e plotë të saj në shkurt të vitit 2022.

“Çfarëdo marrëveshje, qoftë më e keqja, do të kishte qenë më e mirë se çfarë kemi tani”, tha Trump.

“Nëse ata do të bënin marrëveshje të keqe, prapëseprapë do të kishte qenë më mirë se tani. Ata do të kishin hequr dorë nga pak gjëra dhe të gjithë do të jetonin, dhe çdo ndërtesë do të ishte e ndërtuar, dhe çdo kullë do të jetonte edhe 2.000 vjet”, tha Trump.

Trumpi i bëri këto komente gjatë një tubimi zgjedhor në Karolinën Veriore, ndërkohë që Zelensky po merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, para vizitës në Uashington më 26 shtator, ku presidenti Joe Biden pritet të njoftojë për ndihmë të re për Ukrainën.

Trump shpesh ka pretenduar se Rusia nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën, nëse ai do të kishte qenë president i SHBA-së dhe se ai do t’i jepte fund luftës shpejt, nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim të qartë se si do ta arrinte këtë./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme