Google ADS

Trudeau: Politika e Putinit është një kërcënim për Europën dhe botën

00:50 | 24 Mars 2022
Trina Galanxhi

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i tha Parlamentit Europian se BE-ja dhe NATO nuk duhet të tradhëtojnë ukrainën dhe vlerësoi se regjimi i Putinit përbën kërcënim për Europën dhe botën.

“Ne nuk duhet ta tradhëtojmë Ukrainën. Ata po llogarisin tek ne. Le të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion”, tha kryeministri kanadez në një fjalim para eurodeputetëve në Bruksel, duke shtuar se “sulmi i Putinit ndaj Ukrainës është një sulm ndaj vlerave themelore të të gjitha demokracive, transmeton portal arbresh.info

Kanada, Bashkimi Europian dhe aletatët e tjerë “po përballen me një moment vendimtar dhe ne nuk duhet të mposhtemi”, tha Trudeau, duke shtuar se “kjo duhet bërë për parimet e përbashkëta të demokracisë”.

“Sanksionet e paprecedentë kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe ndihmësve të tij në Rusi dhe Bjellorusi duhet të vazhdojnë” për të treguar se “vendimi për të pushtuar një shtet sovran dhe të pavarur është një gabim i madh strategjik me një kosto katastrofike”, tha kryeministri kanadez.

Trudeau argumentoi se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës më 24 shkurt, në kundërshtim me pritjet e Moskës, kishte forcuar unitetin e vendeve të BE-së dhe NATO-s.

Në fjalimin e tij në seancën plenare të Parlamentit Europian, ai kujtoi se ushtarët kanadezë janë vendosur në Lituani si pjesë e forcave të NATO-s, ndërsa ka theksuar se Kanada do të dyfishojë numrin e tyre.

Kryeministri kanadez theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit midis Kanadasë dhe BE-së në luftën kundër ndryshimeve klimatike, duke thënë se është e nevojshme të “përshpejtohet kalimi drejt teknologjive dhe energjive të gjelbra”./arbresh.info/

Të ngjashme