Google ADS

Treni godet veturën në SHBA, mbyt një grua e dy fëmijë

16:45 | 24 Nëntor 2019
Arditë Shkodra

Një grua dhe dy fëmijë janë raportuar të vdekur në Florida të Shteteve të Bashkuara të shtunën pasi një tren i udhëtarëve që po shkonte nga Miami në New York e goditi një veturë në një kryqëzim të rrugës me binarë.

Tri viktimat ishin pasagjerë në veturën e goditur nga treni, e cila u dëmtua shumë. Sipas autoriteteve, asnjëri nga pasagjerët e trenit nuk ka pësuar lëndime në këtë aksident.

Aksidenti ndodhi të shtunën rreth orës 14 në Indiantown, rretj 38 milje larg West Palm Beach. Raportohet se treni e ka shtyrë veturën e goditur për 800 metra para se të ndalej te një shenjë komunikacioni, transmeton express.

Merret vesh se kryqëzimi ku ndodhi aksidenti nuk kishte barrierë për vetura, ndonëse në rrugë kishte shenja që tregonin për kryqëzimin me binarët.

Earl Megonigal, operator i stacioneve kontrolluese, tha se aksidentet e mëparshme mes trenave dhe veturave kanë bërë që banorët ta kërkojnë vendosjen e barrierave. “Të gjithë kanë kërkuar për disa vjet barrierë. Është rrezik këtu. Trenat kalojnë me shpejtësi të madhe”, tha ai.

Për shkak të këtij aksidenti, treni u vonua për 3 orë e 45 minuta, shkruan “Fox News”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme