Google ADS

Tre të vrarë nga sulmi i grupit Houthi në Gjirin e Adenit

11:41 | 7 Mars 2024
R J

Një sulm me raketë i kryengritësve Houthi mbi një anije tregtare në Gjirin e Adenit të mërkurën, vrau tre pjesëtarë të ekuipazhit, tha Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane.

Ky është sulmi i parë vdekjeprurës nga militantët Houthi të mbështetur nga Irani, që nga fillimi i sulmeve në rrugët ndërkombëtare të transportit detar, në mesin e nëntorit të vitit të kaluar. Kjo ishte raketa e pestë e tillë e hedhur nga Houthit në dy ditë, tha Komanda Qendrore.

Raketa goditi transportuesin “True Confidence”, pronë e Liberisë që lundronte me flamurin e Barbadosit, dhe shkaktoi një zjarr në kabinën e kapitenit, i thanë Zërit të Amerikës zyrtarë të mbrojtjes.

Katër veta u plagosën nga sulmi, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, ndërsa ekuipazhi shumëkombësh prej 23 anëtarësh u detyrua të braktiste anijen, sipas zyrtarëve të mbrojtjes.

Filipinet thanë të enjten dy nga të vrarët dhe dy të tjerë të plagosur në sulm ishin filipinas.

USS Philippine Sea, një kryqëzor amerikan, u përpoq të ndihmonte në përpjekjet e shpëtimit, tha një zyrtar, ndërsa një anije indiane ishte e para në vendngjarje, shtoi ai.

Më shumë se një duzinë anijesh tregtare janë goditur nga dronët ose raketat e hedhura nga kryengritësit Houthi që nga mesi i nëntorit. Në mesin e tyre ishte një anije ndihmash me drithë që shkonte në Jemen dhe të paktën një anije me mallra që lundronte për në Iran. Një anije që transportonte plehra artificiale, MV Rubymar, u mbyt gjatë fundjavës pasi u dëmtua në një sulm nga Houthit muajin e kaluar.

“Ne po shohim rreziqe ndaj pronës, jetës dhe ekologjisë në zonë nga këto veprimtari të vazhdueshme”, tha të mërkurën zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric. “Ne u bëjmë thirrje Houthive t’u japin fund të gjitha sulmeve kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq”, tha ai.

Një koalicion në të cilin janë përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britania, është vënë në përpjekje për të siguruar rajonin nga sulmet e Houthive që nga mesi i janarit.

Ushtria amerikane dhe ajo britanike kanë nisur operacione të shumta të kombinuara kundër tyre dhe Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme pothuajse të përditshme për të rrëzuar raketat dhe dronët e kryengritësve.

I pyetur nga Zëri i Amerikës të martën nëse kishte prani të mjaftueshme ushtarake në rajonin e Detit të Kuq për të ndaluar sulmet, zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder, tha se Shtetet e Bashkuara kanë “një sasi të konsiderueshme mundësish në rajon”.

“Por nuk ka të bëjë vetëm me SHBA-në. Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët dhe partnerët, dhe ndërsa vazhdojmë të kemi nevojë për më shumë, sigurisht që do të punojmë me ta”, shtoi ai.

Në një sulm tjetër të martën, kryengritësit synuan të qëllojnë anijen luftarake USS Carney, të përfshirë në fushatën kundër rebelëve. Dronët e pajisur me bomba dhe me një raketë balistike u shkatërruan nga anija, sipas Komandës Qendrore ushtarake amerikane.

Shtetet e Bashkuara nisën gjithashtu sulme ajrore duke shkatërruar tre raketa kundër anijeve dhe tre varka me dronë vetëvrasës, tha komanda.

Kryengritësit e mbështetur nga Irani, kanë thënë se sulmet e tyre janë shprehje e solidaritetit me qeverinë e Hamasit në Gaza.

Zëdhënësi i rebelëve Houthi, Yahya Saree, mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës në një mesazh të regjistruar paraprakisht. Ai tha se sulmet e kryengritësve do të ndalen vetëm kur të “hiqet shtetrrethimi i popullit palestinez në Gazë”.

Terroristët e Hamasit filluan një sulm brutal që la pas vetes qindra izraelitë të vrarë me 7 tetor. Izraeli u përgjigj me një operacion për të çrrënjosur Hamasin në Rripin e Gazës, që ka lënë pas vetes mijëra të vrarë./voa

Të ngjashme