Google ADS

Trashëgimia e Merkelit: Si do të kujtohet ish-kancelarja gjermane?

00:49 | 10 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Me tërheqjen e kancelares gjermane Angela Merkel pas 16 vitesh në detyrë, pyetjet kryesore mbeten: cila është trashëgimia e saj, çfarë arriti dhe ku dështoi?

Politikanja 67-vjeçare ka treguar se është një menaxhuese e aftë e krizave, duke udhëhequr jo vetëm vendin e saj, por edhe Bashkimin Evropian gjatë një krize borxhi, një vale qindra mijëra emigrantësh nga Lindja e Mesme dhe Afganistani, dhe pandemisë më vdekjeprurëse në 100 vitet e fundit.

Krizat financiare, e euros, e refugjatëve dhe, së fundmi, ajo e koronavirusit, ndodhën të gjitha gjatë mandatit të Merkelit dhe ato i dhanë formë udhëheqjes së saj sikurse edhe disa ngjarje të tjera, përveç ndoshta katastrofës së reaktorit të Fukushimës në mars të vitit 2011. Në atë kohë, Merkel ndryshoi kursin në politikën e saj bërthamore. Kabineti vendosi shumë shpejt të heqë dorë gradualisht nga energjia bërthamore.

Merkel krahasohet me ish-kancelarët Adenauer dhe Kohl

Udhëheqësi i grupit parlamentar të Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) Ralph Brinkhaus nderoi Merkelin për 16 vitet e saj si kryetare e qeverisë, duke u thënë përfaqësuesve të medias në Berlin se ajo “formoi një epokë. Ajo qëndron në një rresht me (ish-kancelarët) Konrad Adenauer dhe Helmut Kohl”.

Merkel ishte një kancelare federale tepër e suksesshme, tha Brinkhaus. Gjatë lidershipit të saj, për shembull, numri i të papunëve u përgjysmua dhe u arrit shumë në një sërë çështjesh sociale, të politikës së jashtme dhe evropiane, shtoi ai.

Komplimente të ngjashme erdhën edhe nga Norbert Lammert, ish-presidenti i parlamentit gjerman, i cili gjithashtu përshëndeti Merkelin në përvjetorin e betimit të saj të parë 16 vjet më parë, më 22 nëntor 2005.

“Angela Merkel ka shumë pika të forta. Durimi i saj pothuajse mbinjerëzor për të mbartur mbi supe edhe pozicionet më absurde të partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, është veçanërisht i jashtëzakonshëm”.

Lammert, i cili tani është kryetar i Fondacionit Konrad Adenauer, i lidhur me CDU-në, shtoi: “Qetësia e saj stoike bëri të mundur që ajo të vazhdojë të rrotullojë fillin e bisedës dhe të mos e lërë atë të shkëputet, edhe në momente veçanërisht të ndërlikuara”.

Merkel kishte adoptuar me zgjuarsi pozicionin qendror të politikës gjermane, gjë që e kishte bërë atë një forcë shumë të fuqishme zgjedhore, sipas fjalëve të Matthias Matthijs, anëtar i lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Shumica e ekspertëve politikë në Berlin do të pajtoheshin se partia e Merkelit, CDU, do të kishte fituar lehtësisht zgjedhjet e fundit nëse ajo do të kishte vendosur të kandidonte për një mandat të pestë rekord.

“Merkantilizmi”, politika udhëzuese e Merkelit

“Merkel është udhëhequr kryesisht nga ajo që njihet si ‘Merkantilizmi’, prioritizimi sistematik i interesave tregtare dhe gjeoekonomike gjermane mbi vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe solidaritetin brenda BE-së”, shkroi Matthijs.

“Ka shumë shembuj. Gjatë krizës greke të borxhit, qëllimi kryesor i politikës së Merkelit ishte të mbronte aftësinë paguese të bankave gjermane dhe vendosja e barrës kryesore të rregullimit mbi Evropën Jugore nëpërmjet politikave shtrënguese dhe reformave strukturore la plagë afatgjata”, tha ai.

“Ajo nuk dëshironte të përballej drejtpërdrejt me tendencat autoritare të kryeministrave Viktor Orban në Hungari dhe Jaroslaw Kaczynski në Poloni, pjesërisht për shkak të interesave tregtare gjermane. Ajo ndoqi një marrëveshje gjithëpërfshirëse investimi me Kinën mbi kundërshtimin e liderëve të tjerë të BE-së”, shtoi Matthijs.

Për më tepër, pas aneksimit të Krimesë nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2014, ajo minoi regjimin e saj të sanksioneve kundër Rusisë për t’i dhënë Putinit çmimin shumë më të madh të projektit të gazsjellësit Nord Stream 2.

Mbajtja e BE-së së bashku gjatë dekadës së krizave

Sipas Matthijs, në nivel të BE-së, Merkel kishte këmbëngulje të vendosur për masat shtrënguese dhe reformat strukturore gjatë krizës së borxhit të eurozonës, si dhe vendosmëri të palëkundur për të përfunduar tubacionin e diskutueshëm të gazit natyror Nord Stream 2 me Rusinë. Ajo u karakterizua edhe me pranimin e bonove të BE-së të lëshuara bashkërisht në përballje me pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19.

Merkel arriti ta mbajë BE-në të bashkuar gjatë një dekade krizash, mes tyre kriza e borxhit e euros, agresioni rus në Ukrainë, kriza e refugjatëve, votimi i Brexit-it në Mbretërinë e Bashkuar dhe përçarja transatlantike gjatë presidencës së Donald Trump-it në SHBA. Ndoshta vendimi i saj më i rëndësishëm ka qenë pranimi i bonove të BE-së të emetuara bashkërisht në pranverën e vitit 2020, sipas Matthijs.

Merkel zgjodhi kohën e duhur për t’i dhënë lamtumirën politikës

Duke bërë një vlerësim të epokës së saj si kancelare, Merkel tha se këto 16 vite ishin plot ngjarje dhe shpesh shumë sfiduese.

“Më kanë sfiduar politikisht dhe personalisht. Dhe në të njëjtën kohë më kanë përmbushur edhe mua”, theksoi ajo.

Dhe çfarë do të bëjë Merkel në të ardhmen? Ajo dëshiron të tërhiqet nga skena e madhe politike, siç tha së fundmi për të përditshmen Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung.

“Tani pres të ndodhin disa gjëra të cilat e kisha disi të vështirë t’i bëj gjatë kohës kur isha kancelare, ndoshta të udhëtoj ose të lexoj pak ose thjesht të kem kohë të lirë duke e ditur se në 20 minutat e ardhshme nuk do të ndodhë përsëri diçka revolucionare. Unë e pres me padurim këtë”, ka thënë Merkel.

Merkel tashmë i kishte thënë fotografit gjerman Herlinde Koelbl në vitin 1998: “Do të doja të gjeja kohën e duhur për t’u larguar nga politika në një moment. Atëherë nuk do të doja të isha të një ‘rrënojë gjysmë e vdekur’”.

Ndryshe nga shumë prej paraardhësve të saj, Merkel arriti të zgjidhte kohën e duhur për t’i thënë lamtumirë politikës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme