Tragjedia në Genova, dy ditë zie dhe gjendje e jashtëzakonshme 12-mujore

12:10 | 16 Gusht 2018
Arbresh.info
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë prej 12 muajsh në rajonin e Ligurias, si kundërpërgjigje ndaj shembjes së një ure në Genova.
Ai tha gjithashtu se do të akordojë 5 milionë euro shtesë nga fondet qendrore, për t’ia dhuruar këtij rajoni.

Qeveria rajonale ka kërkuar veprime të menjëhershme pas shembjes së urës, ku mbetën të vdekur 39 persona, mes të cilëve edhe dy shqiptarë.

Më shumë se 400 persona janë evakuuar nga zona, ndërsa 15 vetë po trajtohen në spital, 9 prej të cilëve në gjendje kritike.

Ekipet e shpëtimit tashmë kanë pak shpresa se mund të gjejnë të mbijetuar të tjerë nën rrënojat e urës “Morandi”, ku pothuajse 40 makina ranë nga një lartësi prej 45 metrash, pas shembjes së një pjese të urës.

Ende nuk është bërë i ditur shkaku i shembjes së urës, por debatet në vend janë ndezur në lidhje me kushtet e sigurisë së rrugëve, apo edhe urave të tjera në vend.

Zemërimi është i madh edhe me kompaninë që merrej me mirëmbajtjen e urës së shembur. Autoritetet kanë nisur hetimet për vrasje të mundshme nga neglizhenca, ndërkohë që në qytet janë shpallur dy ditë zie pas tragjedisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme