Google ADS

Tragjedia e Genovas, 12 persona nën hetim

21:43 | 23 Gusht 2018
Arbresh.info

Prokuroria e Xhenovës ka gati listën me 12 emrat e parë, të cilët do të vihen nën hetim si përgjegjës për tragjedinë në urën Morandi që i mori jetën 43 personave mes të cilëve edhe 2 shqiptarë. Mediat italiane e kanë marrë informacionin nga burimet e brendshme të prokurorisë që po kryen hetime për gjetjen e shkaqeve të shembjes së papritur të një pjesë të urës autostradale më 14 Gusht.

Mes personave që do të vihen në hetim, 10 janë drejtues të shoqërisë koncensionare të mirëmbajtjes “Autostrade për l’Italia”. Dy të tjerë janë punonjës të Ministrisë së Infrastrukturës, që kanë mbikqyrur ndër vite ndërhyrjet periodike për mirëmbajtjen e urës dhe që kanë qenë në dijeni për gjendjen e degraduar të saj. Asnjë emër nuk është bërë ende publik zyrtarisht.

Ndër akuzat me të cilat ata mund të përballen, janë ato të vrasjes së shumëfishtë dhe katastrofës së shkaktuar nga neglizhenca dhe sulmit kundër sigurisë së transportit.

Ekspertët teknikë që po kryejnë matjet e pjesës së urës që qëndron ende më këmbë, propozojnë prishjen sa më shpejtë të saj. Ata thonë se struktura është e dëmtuar në pjesën më të madhe të saj, duke rrezikuar një tjetër katastrofë. Sipas tyre, njëra nga këmbët në pjesën perëndimore të saj është edhe më e dëmtuar.

Tragjedia e Xhenovës ka zënë faqen e parë në periodiken e famshme franceze Charlie Hebdo. Përmes asaj që mediat italiane e përshkruajnë si “ironi makabre”, Charlie Hebdo ka publikuar një karikaturë të pjesës së shembur të urës, me komentin “e ndërtuar nga italianët, e pastruar nga emigrantët”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme