Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara nga Evropës dhe se partneriteti i Shteteve të Bashkuara me Bashkimin Evropian mbështetet në vlerat e përbashkëta dhe synimet e përbashkëta për sigurinë dhe përparimin në të dyja brigjet e Atlantikut.
Ai i bëri këto komente pas takimit me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, në fillim të vizitës së tij disaditëshe në Evropë.
Ai tha se me zonjën Mogherini diskutoi një varg çështjesh që lidhen me Korenë e Veriut, Iranin e Sirinë.
Zonja Mogherini tha se pjesë e diskutimeve ishte edhe Ballkani Perëndimor dhe perspektiva evropiane e tij.
Sekretari Tillerson, paralajmëroi para vizitës se do të konfirmojë përkushtimin “e hekurt” të Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s gjatë vizitës së tij në Belgjikë, Austri dhe Francë gjatë kësaj jave.
I përballur me raportimet e disa medieve se Shtëpia e Bardhë po shqyrton zëvendësimin e tij me shefin e CIA-s, Mike Pompeo, sekretari Tillerson i cilësoi ato “qesharake”. Presidenti Donald Trump, poashtu shkroi në Twitter se sekretari “Tillerson nuk do të largohet”.
Këshilltari i lartë i zotit Tillerson, R.C. Hammond, tha të martën se çështja nëse sekretari i shtetit ende gëzon besimin e administratës nuk u përmend në asnjërën nga bisedat me diplomatët në Bruksel. Por ai pohoi se ministrat e jashtëm ishin të hapur për diskutimin e mosmarrëveshjeve me SHBA për çështje të ndryshme.
“Aleatët ishin shumë të sinqertë sot në shkëmbimin e disa prej pikëpamjeve të tyre”, tha zoti Hammond. “Dialogu funksionon vetëm nëse është i dyanshëm,” tha ai.
NDARJA E BARRËS FINANCIARE NË NATO
Gjatë takimit të tyre të shkurtër të martën, zoti Tillerson dhe Sekretari i Përgjithsën i NATO-s Jens Stoltenberg diskutuan mbi përparimin e arritur drejt ndarjes së barrës financiare me më shumë vende të NATO-s në rrugën për të kontribuar dy për qind të PBB-së për mbrojtjen. Zoti Hammond tha se ata u përqëndruan gjithashtu tek angazhimi i NATO-s për të luftuar Shtetin Islamik në Irak, nevoja që Rusia të tërhiqet nga Ukraina lindore dhe roli i forcave paqeruajtëse të OKB-së në Ukrainë.
Zoti Stoltenberg i tha sekretarit Tillerson: “Ne vërtet e vlerësojmë rolin tuaj të fortë udhëheqës në shumë çështje të rëndësishme për aleancën dhe angazhimin tuaj të hekurt ndaj NATO-s, në qetësinë transatlantike dhe për faktin që SHBA po rrit praninë në Evropë”. “Dhe NATO-ja është vendi ku Amerika e Veriut takohet me Evropën çdo ditë,” tha ai.
Zoti Tillerson falënderoi zotin Stoltenberg për “udhëheqjen e tij të fortë” në NATO.
“Sigurisht shumë vende kanë riafirmuar angazhimin e tyre ndaj aleancës, jo vetëm me fjalë por edhe financiarisht, që siç e dini është shumë e rëndësishme për Presidentin Trump, që kjo aleancë të jetë plotësisht e aftë”, tha sekretari i shtetit.
Nga Brukseli, sekretari Tillerson do të shkojë në Vjenë për takimin vjetor të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, me theks në kontrollin e armëve dhe të drejtat e njeriut dhe siç tha zyrtari i lartë, një mesazh mbështetjeje për sovranitetin e Ukrainës.
Zyrtari tha se ndalesa e tij e fundit do të jetë në Paris “ku kemi një bashkëpunim shumë të veçantë dhe të thellë me francezët në një agjendë globale që përfshin çështjet që kanë të bëjnë me Iranin, Sirinë, Libanin, Libinë, Korenë e Veriut dhe Sahelin”./VoA/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...