Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson thotë se është i gatshëm të pranojë “shkurtimet mjaft dramatike” të propozuara nga Presidenti Donald Trump për buxhetin e Departamentit të Shtetit, duke thënë se “niveli i shpenzimeve” që janë ndërmarrë “kryesisht vitin e fundit është thjesht i paqëndrueshëm”.
Buxheti i Shtëpisë së Bardhë “Amerika e Para” për qeverinë federale, propozon rritje të konsiderueshme të buxhetit ushtarak duke balancuar rritjen me shkurtime të thella në buxhetin e Departamentit të Shtetit, programe të tjera të ndihmës së jashtëme, agjencinë përgjegjëse për zbatimin e rregulloreve mjedisore dhe programe të ndryshme të brendshme.
Drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Mick Milvaney, pranoi se disa prej shkurtimeve, përfshi buxhetin e Departamentit të Shtetit janë “mjaft dramatike”. Departamenti i Shtetit do të ketë një shkurtim prej një të katërtën e buxhetit, por zoti Mulvaney tha se “ne bedojmë se kemi mbrojtur funksionin bazë të Departamentit.” Shkurtimet do të tkurrin rolin e qeverisë dhe do të përmirësojnë efikasitetin, shtoi zoti Mulvaney.
Shtëpia e Bardhë e paraqiti të enjten propozimin e saj për buxhetin.
Presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë se ka ndërmend të rritë shpenzimet ushtarake në kurriz të shpenzimeve për Departamentin e Shtetit, të ndihmës për jashtë dhe të kontributit amerikan për organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara.
Disa analistë thonë se shkurtimet mund ta bëjnë më të efektshme diplomacinë amerikane, por të tjerë, duke përfshirë aktivistët e të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës e kundërshtojnë shkurtimin e fondeve për Departamentin e Shtetit dhe ndihmën e huaj.
Zyrtarët e shërbimit diplomatik dhe pjestarë të tjerë të stafit në Departamentin e Shtetit dhe në ambasadat amerikane jashtë i prisnin prej kohësh propozimet për shkurtime masive, siç pohon për Zërin e Amerikës eksperti i zhvillimit global George Ingram:
“Shkurtimet ka të ngjarë të jenë diku në masën 30 për qind. Fillimisht, me sa kam dëgjuar, Zyra e Buxhetit kishte propozuar 37 për qind, por Sekretari i Shtetit propozoi të mos bëhej 37 përqind në vitin e parë, por pakësimet të ishin graduale, brenda 3 vjetëve. Prandaj do të shohim rreth 30 për qind shkurtime.”
Grupet e të drejtave të njeriut dhe të ndihmës humanitare thonë se ndikimi mbi refugjatët dhe njerëzit e tjerë në nevojë në mbarë botën do të ishte shkatërrimtar, siç u shpreh Adotei Akwei me Skype për Zërin e Amerikës:
“Organizatat e shoqërisë civile, qeveritë, janë që të gjitha shumë të shqetësuara, jo vetëm për pakësimin apo shkurtimin e fondeve. Ato shqetësohen edhe për boshllëkun që do të krijohej nga mungesa e Shteteve të Bashkuara si partnere, si gjeneratore e novacionit, e krijimtarisë dhe natyrisht si një zë për të drejtat e njeriut.”
Por disa analistë thonë se Departamenti i Shtetit është një burokraci e fryrë dhe shkurtimet do t’i bënin mirë, siç komentoi për Zërin e Amerikës ish-diplomati James Robert:
“Mendoj se ka mjaft hapësirë riorganizimi, për ta bërë Departamentin e Shtetit një aktor vërtet më të mirë dhe më të efektshëm si përfaqësues të popullit amerikan; për ta bërë edhe një aktor jashtë vendit, sepse kështu do të thjeshtohen linjat e autoritetit dhe mënyrat e shpenzimit të fondeve. Ato do të shpenzohen më mirë dhe sigurisht, do të ketë shkurtime që do të duhet të bëhen si pasojë e kësaj.”
George Ingram ka punuar edhe në stafin e disa ligjvënësve të lartë në Kongresin amerikan. Ai thotë se Kongresi nuk do t’i pranojë shkurtime të tilla të mëdha për politikën e jashtme dhe ndihmën për jashtë:
“Muajin e fundit kemi parë një protestë nga ligjvënës të të dyja partive në Kongres, të Dhomës dhe të Senatit, të cilët thonë se shkurtime të tilla të mëdha në fondet e ndihmës për jashtë janë të papranueshme. Prandaj do të shohim mjaft rezistencë nga Kongresi këtë vit.”
Shkurtimet drastike në buxhetin e diplomacisë amerikane do të preknin edhe luftën globale për të mposhtur të ashtuquajturin Shtet Islamik, thotë senatori republikan, Lindsey Graham:
“Dua që Komisioni të kuptojë se me një buxhet që i heq kaq shumë fonde Departamentit të Shtetit, nuk do ta fitojmë dot këtë luftë. Në fakt, kjo do ta ndihmonte ISIS-in”.
Buxheti i presidentit Trump pritet të jetë në qendër të një debati të ashpër në Kongres gjatë muajve të ardhshëm./VOA/
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...