Aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg paralajmëroi ligjvënësit amerikanë të enjten se historia do t’i mbajë ata përgjegjës për katastrofat klimatike, nëse ata nuk ndalojnë së subvencionuar prodhimin e karburanteve fosile, duke e quajtur uljen e taksave për këtë industri një “turp”.
18-vjeçarja Thunberg, aktivizmi i së cilës ka frymëzuar një lëvizje globale, dëshmoi virtualisht në panelin e Dhomës së Përfaqësuesve në ditën kur Presidenti Joe Biden filloi një samit virtual dy-ditor për Ditën e Tokës, duke u zotuar të përgjysmojë emetimet e gazrave ndotës që shkaktojnë efektin serë deri në vitin 2030.
“Fakti i thjeshtë dhe i pakëndshëm, është se nëse duam t’i përmbushim premtimet dhe zotimet tona të Parisit, ne duhet t’i japim fund subvencioneve të karburanteve fosile … tani”, tha zonja Thunberg, duke iu referuar Marrëveshjes Ndërkombëtare të Parisit për Ndryshimin e Klimës të vitit 2016.
Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e Presidentit Biden u bashkuan përsëri në marrëveshjen e Parisit në muajin shkurt, pasi ish-Presidenti Donald Trump ishte tërhequr nga marrëveshja.
“Fakti që ende jemi duke zhvilluar këtë diskutim, dhe që për më tepër jemi ende duke subvencionuar lëndët djegëse fosile, direkt ose indirekt, duke përdorur paratë e taksapaguesve, është një turp”, i tha ajo nënkomisionit për mjedisin të Komisionit të Mbikëqyrjes të Dhomës së Përfaqësuesve.
Greta Thunberg, aktivizmi i së cilës filloi në moshën 15 vjeçare kur ajo filloi të anashkalonte shkollën të premten për të protestuar jashtë parlamentit suedez për ndryshimin e klimës, shprehu pesimizëm.
Kryetari i nënkomisionit, Përfaqësuesi demokrat Ro Khanna, po i kërkon Presidentit po demokrat Biden, që të mbajë një premtim të fushatës elektorale për t’i dhënë fund subvencioneve të karburanteve fosile, siç janë lehtësimet e taksave dhe boshllëqet në legjislacion.
Ligjvënësi Khanna e pyeti zonjën Thunberg nëse do të ishte një “grusht i rëndë” për ambientalistët nëse subvencionet e karburanteve fosile nuk eliminohen në planin aktual të Presidentit Biden prej 2.3 trilionë dollarësh për të rregulluar infrastrukturën e Shteteve të Bashkuara.
“Po, shumë”, u përgjigj ajo.
Por Frank Macchiarola, nënpresident në Institutin Amerikan të Naftës, argumentoi për mbajtjen e politikave të taksave që nxisin investimet e energjisë në Shtetet e Bashkuara. Ai u tha ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara ishin tashmë udhëheqësi global në zvogëlimin e emetimeve të dioksidit të karbonit në vitet e fundit.
Përfaqësuesi i lartë republikan i nënkomisionit, Ralph Norman, hodhi poshtë “skenarët apokaliptikë” rreth klimës. Ai tha se fëmijët ishin prekur shumë nga frika e ndryshimit të klimës dhe e pyeti Thunbergun pse ajo kishte thënë më parë se dëshironte që njerëzit të jenë në “panik” për këtë.
“Unë dua që njerëzit ta lënë rehatinë dhe jo vetëm ta shohin krizën e klimës si një kërcënim të largët, por më tepër si diçka që po prek njerëzit që sot”, tha zonja Thunberg.
Presidenti Biden ka bërë thirrje për zëvendësimin e subvencioneve të karburanteve fosile, me stimuj për prodhimin e energjisë së pastër si pjesë e planit të tij të infrastrukturës, por plani nuk ka specifikuar se cilat ulje taksash për kompanitë e karburanteve fosile do të synohen.
Ligjvënësi Khanna renditi disa lehtësi tatimore që ai dëshiron të shfuqizohen, përfshirë të ashtuquajturat kosto të pallogaritshme për shpimin, që u mundësojnë prodhuesve të zbresin shumicën e kostove nga shpimi i puseve të reja./voa/
Policia rrit masat e sigurisë në tërë Kosovën
Borrell jep paralajmërimin përfundimtar për luftën në Ukrain...
Vullneti ironizon banorët: Publiku e ka kuptuar nga Big Brot...
Alonso kërkon fitoren e tretë radhazi të Leverkusen
Vendoset gurthemeli i Shkollës së Mesme Profesionale në Podu...
32-vjeçari intervistohet nga policia për gjuajtje me armë zj...