Themeluesi i harruar i Apple

23:25 | 3 Prill 2016
Arbresh.info

Kur thuhet Apple çdokush kujton Steve Jobs, themeluesi jo vetëm i gjigantit teknologjik amerikan, por edhe i telefonave inteligjentë ashtu si njohim sot.

Steve bënte pjesë tek themeluesit e kompanisë, por nuk ishte i vetëm dhe ky 40-vjetor është momenti i duhur për të kujtuar një emër që pak e njohin.

Në shkretëtirën e Nevadas, aty ku nis të mendosh se përfundon qytetërimi ndodhet një qytezë e vogël e quajtur Pahrump. Pikërisht këtu ka zgjedhur të jetojë Ronald Wayne. Ai është sot 81 vjeç. 4 dekada më parë, kur ishte 41, punonte për Atari. Këtu njohu Steve Jobs, një i ri plot talent, vullnet, inovator dhe i vrullshëm që i drejtohej shpesh për këshilla.

Ronald rrëfen sot se Steve i kishte kërkuar mendim jo vetëm në një rast.

“Me pyeti se ç’mendoja për të ndërtuar makineri lojrash fati. I thashë jo. Më kërkoi mendim edhe për Indinë. Më tha nëse ishte një vendim i zgjuar për të shkuar atje, mbase do të gjente veten. I thashë që nëse do të shkonte të bënte kujdes”, rrëfen 81-vjeçari.

Dhe një ditë të bukur mbërrin pyetja që do të ndryshonte historinë.

“Ronald, mund të më ndihmosh të flasim pak me Steve Wozniak?”, kujton 81-vjeçari.

Ronald shton se Jobs kërkoi që unë të flisja me Wozniak për t’i shpjeguar planin e biznesit.

“Jobs mendonte se unë isha më shumë diplomat dhe mund t’i mbushja mendjen Wozniak për të nisur prodhimin e kompjuterave. Ëoz nuk kishte intuitën e të bërit biznes. Çdo gjë që bënte e bënte për pasion dhe nuk njihte rregullat e lojës”, rrëfen sot Wayne.

Mjaftuan 45 minuta dhe Wayne arriti t’i mbushë mendjen Wozniak për të hapur një kompani biznesi.

“Në këtë moment Steve Jobs tha: Do të nisim një biznes. Do ta quajmë Apple Computer Company”, rrëfen 81-vjeçari.

Jobs dhe Wozniak morën nga 45 përqind të aksioneve të kompanisë, ndërsa Wayne 10 përqind, nga të cilat hoqi dorë 12 ditë më vonë, 10 përqind që sot kushton 60 miliardë dollarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme