Gazeta “The Wall Street Journal” njofton se Prokurori i posaçëm Robert Mueller ka organizuar formimin e një jurie të madhe, që do të thotë se hetimet e tij lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 janë në rritje.
Hetuesit dhe prokurorët i përdorin juritë e mëdha për të shqyrtuar provat, për të marrë në pyetje dëshmitarët dhe për të konfiskuar dokumente. Formimi i jurive të tilla është një hap serioz në çdo hetim. Qëllimi përfundimtar është të përcaktohet nëse është kryer një vepër penale.
Gazeta thotë se juria e ka filluar punën javët e fundit dhe ka të ngjarë ta vazhdojë atë për muaj të tërë.
Zoti Mueller dhe ekipi i tij i avokatëve po përpiqen të përcaktojnë nëse ka patur apo jo ndonjë bashkëpunim të fshehtë midis Rusisë dhe ekipit të fushatës presidenciale të zotit Trump.
Agjencia e lajmeve Reuters njofton se juria e madhe tashmë ka lëshuar urdhër për konfiskim dokumentesh në lidhje me takimin e qershorit 2016 të një avokateje ruse dhe perosnave të tjerë me djalin e Presidentit Trump, Donald Trump Jr dhe zyrtarë të tjerë të fushatës.
Raportet tregojnë se Trump Jr u entuziazmua nga ideja e një takimi të tillë kur avokatja ruse, me anë të një ndërmjetësi, i tha atij se zotëronte dëshmi inkriminuese për kandidaten demokrate Hillary Clinton.
Presidenti Donald Trump ka hedhur dyshime rreth akuzave se rusët u përpoqën të ndërhynin në zgjedhje, pavarësisht njoftimeve të inteligjencës se Kremlini u përpoq t’i manipulonte zgjedhjet në favor të kandidatit Trump.
Zoti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë. Ai e ka quajtur hetimin e zotit Mueller “një gjueti shtrigash” dhe në Uashington ka patur njoftime se presidenti mund të përpiqet ta shkarkojë prokurorin e posaçëm
E drejta për të konfiskuar dokumente
Tani që sipas njoftimeve është krijuar një juri e madhe, ajo mund të kërkojë të konfiskojë informacione financiare të familjes Trump. Presidenti e ka paralajmëruar zotin Mueller të qëndrojë larg financave të tij.
Zyra e zotit Mueller nuk ka komentuar rreth njoftimit të gazetës “Wall Street Journal”.
Këshilltari i posaçëm i zotit Trump, Ty Cobb, tha se nuk ka dijeni për ndonjë hetim me juri të madhe por theksoi: “Shtëpia e Bardhë favorizon çdo gjë që e shpejton përfundimin e punës së tij në mënyrë të drejtë … Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar të bashkëpunojë plotësisht me z. Mueller”.
Robert Mueller, ish-drejtor i FBI-së, mori përsipër hetimet për Rusinë, kur Presidenti Trump shkarkoi drejtorin e tij të FBI-së James Comey në muajin maj pasi zoti Comey me sa duket refuzoi kërkesën e presidentit për t’u tërhequr nga hetimi.
Projektligj për të mbrojtur Prokurorin e Posaçëm
Të enjten, dy senatorë paraqitën një projektligj që e bën të vështirë shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm.
Propozimi i demokratit Chris Coons dhe republikanit Thom Tillis bën thirrje për një ligj ku të përcaktohej se një president mund ta shkarkojë Prokurorin e Posaçëm vetëm për sjellje të pahijshme, konflikt interesi, sëmundje të rëndë apo ndonjë shkak tjetër të fortë.
Sipas projektligjit, një komision prej tre gjyqtarësh do të përcaktonte nëse shkarkimi është i justifikuar.
Projektligji duket se është një përpjekje për të mbrojtur zotin Mueller nga çdo përpjekje e zotit Trump për ta shkarkuar atë.
Por disa analistë thonë se nëse presidenti synon ta shkarkojë zotin Mueller, propozimi në fjalë mund ta nxisë atë që ta bëjë shkarkimin përpara se Senati të ketë rastin për ta hedhur në votë projektligjin.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...