Avioni tip “737 Maks” i kompanisë amerikane “Boeing” synohet të rimarrë çertifikatën e sigurisë nga autoritetet e vendit. Pas aksidenteve fatale të dy viteve të kaluara, mjeti fluturues është tërhequr nga kompanitë ajrore deri në adresimin e problemeve teknike.
Autoritetet amerikane dhe gjiganti i aviacionit vendës “Boeing” pritet të nisin një proces treditor që do testojë sigurinë e avionëve tip “737 MAX” të prodhuar nga kompania.
Ky model avionësh nuk lejohet të fluturojë nëpër botë që nga muaji mars i vitit të kaluar, pas dy aksidenteve fatale që do u merrnin jetën mbi 340 pasagjerëve në harkun e pak muajve.
Të hënën, pilotët dhe ekipet testuese do të kryejnë manovra specifike, ulje-ngritje dhe kthesa më ekstreme gjatë fluturimit mbi shtetin e Uashingtonit dhe brigjet e Oqeanit Paqësor.
Në fokus do të jetë edhe kodi i ri kompjuterik që është riprogramuar pas dyshimeve se në aksidentet e fundit ka shkaktuar bllokim të mjeteve fluturuese, duke i bërë të pakomandueshme.
Ndryshimet shpresohet të testohen gjatë korrikut dhe gushtit nga pilotë ndërkombëtarë, por në kushtet e pandemisë është e paqartë se si mund të mbahen seanca të tilla provash.
Në janar, kompania “Boeing” ndaloi prodhimin e avionëve të vet më të shitur, “737 MAX”, deri në pritjen e ricertifikimit prej autoriteteve pas aksidenteve me pasoja tragjike.
Ndërkohë 400 mjete të reja të këtij modeli qëndrojnë të parkuara për shkak se nuk u janë dorëzuar apo janë anuluar nga porositësit, duke reduktuar edhe hapësirat magazinuese të kompanisë.
Në tremujorin e parë të vitit, frika për sigurinë e avionëve por edhe pakësimi i fluturimeve prej rrezikut të koronavirusit i shkaktuan kompanisë “Boeing” rreth 5 miliardë dollarë humbje.
Vlera e aksioneve të saj në bursa u ul shkurtimisht gati trefish nga fundviti i kaluar.
Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, periudha e krizës pandemike ka dëmtuar çdo prodhues avionësh por veçanërisht gjigantin amerikan.
Deri vitin e ardhshëm, trafiku ajror nëpër botë parashikohet të mbetet më shumë se 25 për qind poshtë niveleve të vitit të kaluar.
Driloni me pëlqim për Xhenetën?
Mevlani: Me Dianën nuk kishte asgjë serioze – po të isha beq...
Kurti: Shëndetësia publike po transformohet shpejt dhe rrënj...
Sulmet izraelite në Gaza, mbi 70 të vrarë gjatë orëve të fun...
“Vendimi pas dy javësh, nuk presim rezultat tjetër veç fitor...
Banka Botërore nis në Shqipëri programin për urat e qëndrues...