Testimet janë vendimtare për rihapjen e ekonomisë amerikane

15:57 | 20 Prill 2020
Arbresh.info

Beteja kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara po shndërrohet në përplasje politike, pasi udhëheqësit federalë dhe ata shtetërore debatojnë si të gjenerojnë fonde shtesë dhe një numër më të madh testesh. Debati politik zhvillohet në një kohë kur po shtohen thirrjet nga sektori privat për rihapjen e ekonomisë:

Mjekët dhe infermjerët luftojnë për të shpëtuar jetë. Ndërkohë një betejë tjetër po zhvillohet në Kongres, me debatin se kush duhet të ndihmohet me fonde shtesë pasi paketa stimuluese për biznesin e vogël u shpenzua. Republikanët duan që fondet të përdoren vetëm për të mbështetur biznesin e vogël. Demokratët, përfshirë Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, duan që fondet të ndihmojnë një spektër më të gjerë të amerikanëve në nevojë:

“Jemi përballë një shansi dhe një nevoje urgjente për të ndihmuar spitalet, mësuesit, zjarrfikësit dhe të tjerë në këtë moment,” tha zonja Pelosi.

Ndërkohë që bizneset e vogla, të cilat nuk përfituan nga raundi i parë i paketës stimuluese presin në ankth, ligjvënësit po negociojnë me Departamentin e Thesarit për një plan të ri:

Donald Trump President i Shteteve të Bashkuara

“Vazhdojmë të negociojmë me demokratët që t’u sigurojmë bizneseve dhe punonjësve në të gjithë vendin kujdesin që u nevojistet. Mendoj se jemi pranë një marrëveshjeje,” tha Presidenti Trump.

Ky debat politik zhvillohet në një kohë kur bizneset dhe udhëheqësit qeveritarë duan me doemos të rihapin ekonominë amerikane. Shumë demokratë, kritikë të hapave që ka ndërmarrë deri tani Shtëpia e Bardhë, thonë se nevojitet një praktikë më e centralizuar testimi në të gjithë vendin, para se të rikthehet aktiviteti normal.

“Çelësi që hap portën e ekonomisë është testimi, testimi, testimi. Deri tani nuk kemi vepruar si duhet. Presidenti nuk ka ndjekur metodën e duhur për testime, trajtim, identifikimin e personave të ekspozuar dhe karantinë,” tha zonja Pelosi.

Shtëpia e Bardhë është përqëndruar tek testimet në zona me përqëndrim të lartë rastesh. Koordinatorja e grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit Deborah Birx thotë se është më të logjikshme të ndiqet një metodologji strategjike ndaj testimit:

“Asnjë nga testet që përdoren në mjekësi nuk janë në gjendje të diagnostikojnë 100% të personave që janë të infektuar dhe të tregojnë 100% të atyre që janë negativë. Këto janë teste shumë të mira, por nëse përdoren në shtete ku deri tani nuk ka pasur përhapje të madhe të sëmundjes, do të marrësh rezultate fallso si pozitive ashtu edhe negative gjatë analizave”.

Disa guvernatorë, si demokratë ashtu edhe republikanë, po kërkojnë më shumë teste:

“Mendoj se nëse i kërkojnë, duhet t’ua japim, duhet t’i gjejmë testet dhe t’i ndihmojmë. Besoj nuk e keni harruar atë guvernatorin që donte ta kishte plotësisht nën kontroll procesin e rihapjes në një grup shtetesh, por tani këta guvernatorë kërkojnë nga ne, nga qeveria federale që të bëjmë testime. Në fakt testimi bëhet në nivel lokal. Po bien në kundërshtim me veten,” tha Presidenti Trump.

Shtëpia e Bardhë po punon për të prodhuar paketa testimi përmes një partneriteti mes sektorit shtetëror dhe atij privat, tha Dr. Birx.

“Një ekip i ynë po kontakton çdo laborator në Shtetet e Bashkuara, që ka platforma të kësaj natyre. Ka mbi 300 laboratore, po i kontaktojmë që të punojnë me shtetet dhe autoritetet lokale për të garantuar se kanë të gjitha elementët e nevojshëm për të prodhuar numrin e duhur të testeve. Besojmë se kjo do ta dyfishojë numrin e disponueshëm të testeve,” tha Dr. Birx.

Këto përpjekje janë pjesë e analizës së ethshme që po i bëjnë situatës udhëheqës federalë e shtetërorë për të identifikuar momentin dhe mënyrën e duhur për rihapjen e vendit, pa acaruar përhapjen e epidemisë./VOA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme