Google ADS

Tërmeti në Afganistan: 5 shtretër për 500 pacientë

23:43 | 23 Qershor 2022
Trina Galanxhi

“Nga 500 pacientë që kanë ardhur në klinikë që nga mëngjesi, 200 kanë vdekur” – ky është vlerësimi i hapur i Muhammad Gul, një anëtar i stafit në një klinikë të vogël në Gyan, në Afganistanin lindor.

Objekti ka vetëm 5 shtretër, por tërmeti i të martës e ka bërë edhe objektin të papërdorshëm, transmeton portal arbresh.info

“Të gjitha dhomat e klinikës janë shkatërruar”, tha ai për BBC.

Ai tha se një helikopter kishte transportuar një pjesë të vogël të pacientëve nga distrikti i largët në provincën Paktika në qytete për trajtim dhe dy mjekë po drejtonin një klinikë të improvizuar në natyrë për t’u përpjekur të trajtonin njerëzit që nuk kishin ku të shkonin tjetër.

Gjeneratori që furnizon energjinë ka vetëm një furnizim të kufizuar me karburant dhe ndihma e premtuar nga provincat e tjera ende nuk është realizuar.

Ndërkohë, numri i të plagosurve vetëm sa shtohet.

“Ka dhjetëra njerëz që kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore. Unë nuk mendoj se ata do të t’ia dalin mëngjesit”, tha Gul.

Tërmeti goditi zonat e varfra kodrinore me ndërtesa të dobëta, të pajisura keq për të përballuar goditjen.

Qindra shtëpi janë shkatërruar dhe ka pasur rrëshqitje dheu.

Gyan është një nga zonat më të goditura. Shumë njerëz mbeten të bllokuar nën rrënoja, ndërsa dyshohet se shumë fëmijë janë në mesin e viktimave të tërmetit.

Më shumë se 1,000 njerëz vdiqën si pasojë e tërmetit 6.1 ballë, ndërsa shiu i dendur dhe terreni i keq po pengojnë ekipet e shpëtimit.

Një grua në spital në provincën Paktika u tha gazetarëve se kishte humbur 19 anëtarë të familjes.

Një nënë e gjashtë fëmijëve e cila u plagos rëndë nga tërmeti i tha BBC-së se shumë në fshatin e saj ishin vrarë, duke përfshirë shtatë anëtarë të familjes së saj.

Talebanët kanë bërë thirrje për ndihmë.

Shumica e viktimave të gjetura deri më tani kanë qenë në rrethet Gayan dhe Barmal të Paktikas.

Vendasit raportojnë se dhjetëra fshatra janë shembur./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme