Tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Siri, e gjithë bota premton mbështetje

07:44 | 7 Shkurt 2023
Vjollca Gajraku

E mbarë bota po i qëndron pranë Turqisë dhe Sirisë, që përballen me pasojat apokaliptike të tërmeteve shkatërruese.

Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, tha: “Kombet e Bashkuara janë duke u mobilizuar për të mbështetur reagimin e emergjencës dhe kështu le të punojmë së bashku në solidaritet për të ndihmuar të gjithë ata që u goditën nga kjo fatkeqësi, shumë prej të cilëve tashmë kishin nevojë urgjente për ndihmë humanitare”.

Bashkimi Europian aktivizoi mekanizmin europian të mbrojtjes civile, duke dërguar në zonat më të prekura 10 ekipe shpëtimi. Mes tyre është edhe një nga Greqia. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilit i ofroi të gjithë asistencën e nevojshme për të tejkaluar pasojat e tërmeteve që zhdukën nga faqja e dheut lagje të tëra: “Në emër të popullit grek, shpreha ngushëllimet e mia më të thella për humbjen tragjike të jetëve dhe ripërsërita gatishmërinë tonë për të ofruar të gjithë ndihmën e mëtejshme të nevojshme”.

Në të njëjtën frymë edhe shtete të ndryshme, përfshirë Italinë, Francën, Anglinë, Gjermaninë, Indinë dhe Shtetet e Bashkuara e shumë të tjera, por edhe NATO, që përveç personelit humanitar dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit, po dërgojnë në ndihmë të Turqisë dhe Sirisë edhe pajisje të sofistikuara për të bërë të mundur shpëtimin e sa më shumë personave që gjenden nën kurthin e rrënojave.

Solidaritet edhe nga Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili edhe pse në një luftë, ofroi asistencë për Turqinë. Mesazh i ngjashëm është lëshuar edhe nga Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka angazhuar 300 ushtarë të tij në operacionet e kërkim-shpëtimit në Siri./a2cnn

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme