Google ADS

Tërheqja e trupave të SHBA-ve nga Gjermania, Rumania: I marrim ne!

22:19 | 30 Korrik 2020
Arditë Shkodra

Pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan planet për tërheqjen e 12.000 trupave nga Gjermania, presidenti rumun Klaus Iohannis deklaroi se vendi i tij është i gatshëm t`i strehojë forcat amerikane.

“ Ushtarët e Shteteve të Bashkuara janë gjithmonë të mirëpritur në Rumani”, u shpreh Iohannis. Ai mdje kujtoi se Bukureshti zyrtar e ka nënvizuar me kohë nevojën për më shumë trupa në zonën e Detit të Zi”. “ Nëse ndodh, do të jemi shumë të kënaqur”, shtoi kreu i shtetit rumun.

Një ditë më parë u njoftua se Shtetet e Bashkuara do t’i tërheqin trupat në fjalë për t`i zhvendosur në Belgjikë dhe Itali. Kjo lëvizje strategjike, sipas Pentagonit, do të ndihmojë në frenimin e Rusisë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se ripozicionimi i trupave do të forcojë NATO-n, do të rrisë bllokadën kundër Rusisë dhe do të përmirësojë fleksibilitetin strategjik dhe operacional të SHBA-së.

Nga 34,500 ushtarë amerikanë, sa janë të pozicionuar në Gjermani, rreth 6,400 do të dërgohen në shtëpi, ndërsa afro 5,600 do të ripozicionohen në shtete të tjera të NATO-s.

Presidenti Donald Trump i ka bërë publike planet për ripozicionimin e trupave nga Gjermania që në qershor, edhe pse Gjermania, për kohë të gjatë, ka qenë qendër e operacioneve ushtarake amerikane në Lindje të Mesme, Afrikë dhe Europë. Por ai është ankuar vazhdimisht prej Berlinit me pretendimin se nuk përmbush angazhimet ndaj Nato-s duke mos paguar 2% të PBB-së për aleancën ushtarake.

Të ngjashme