Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, ndërkohë që Turqia po kryen një operacion kundër kurdëve, po ndiqet nga afër në Korenë e Jugut, ku Presidenti Trump ka kohë që ka lënë të kuptohet se duhet ketë një riorientim të madh ushtarak.
Presidenti Trump është akuzuar për braktisjen e kurdëve, të cilët ndihmuan Shtetet e Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik, duke larguar 1000 trupa amerikane nga Siria veriore, ndërsa Turqia po kryen një sulm të planifikuar për një kohë të gjatë kundër luftëtarëve kurdë.
Presidenti Trump këmbëngul se ai po përpiqet të përmbushë vetëm një premtim fushate për të tërhequr trupat amerikane nga konfliktet e huaja, duke e cilësuar vendimin për Sirinë si një reagim kundër zyrtarëve amerikanë dhe ekspertëve që mbështesin ato që ai e quan “luftëra të pafund”.
Ky lloj debati është veçanërisht i rëndësishëm për Korenë e Jugut, e cila teknikisht ka qenë në një gjendje lufte me Korenë e Veriut që nga vitet 1950 dhe ka mbi 28,000 trupa amerikane të stacionuara në vend.
Presidenti Trump ka kritikuar për disa dekada aleancën mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, por marrëdhëniet janë tensionuar më shumë ndërsa negociatorët e Presidentit Trump janë përfshirë në bisedime që synojnë ta bëjnë Seulin të paguajë më shumë për koston e pranisë ushtarake amerikane në Korenë e Jugut.
Megjithëse ekzistojnë dallime të dukshme mes situatatës me të cilën përballen kurdët dhe atë me të cilën përballet Koreja e Jugut, disa analistë në Seul druhen se vendimi i Presidentit Trump për Sirinë mund të ofrojë një shembull të asaj që ai synon të bëjë përfundimisht në Korenë e Jugut.“Pa dyshim që kjo i dërgon mesazhin Koresë së Jugut në lidhje me bisedimet për ndarjen e kostos, pra se besnikëria e kaluar nuk do të thotë asgjë,” thekson Jeffrey Robertson, profesor i diplomacisë në Universitetin Yonsei të Seulit.
Situatë e paprecedentë
Një artikull opinion në gazetën më të madhe të Koresë së Jugut, Chosun Ilbo, bëri një lidhje të qartë midis “tradhtisë” së zotit Trump ndaj kurdëve dhe synimeve të tij për Korenë e Jugut.
“Kurdët mobilizuan 150,000 trupa për të luftuar kundër Shtetit Islamik, në mbështetje të Shteteve të Bashkuara, dhe më shumë se 10,000 ushtarë kurdë humbën jetën në luftime. Shpërblimi për sakrificën e tyre ishte tradhtia e Presidentit Trump. Arsyeja kryesore për tradhtinë ishin paratë”, thuhet në artikullin e redaksisë së gazetës.
Presidenti Trump, thuhet më tej në artikull, e gjykon edhe aleancën amerikane me Korenë e Jugut bazuar në para, duke përmendur se presidenti amerikan ka kërcënuar në disa raste të tërheqë trupat amerikane nga Koreja.
Nëse sjellja e Presidentit Trump i jep zemër udhëheqësit e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, Koreja e Jugut mund të përballet me një kërcënim “të pashembullt”, paralajmëroi gazeta konservatore.
Disa nga aleatët konservatorë të Presidentit Trump në Uashington po përdorin të njëjtin argument.
“Duke braktisur kurdët, ne kemi dërguar sinjalin më të rrezikshëm të mundshëm – Amerika është një aleat jo i besueshëm dhe është vetëm çështje kohe para se Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut të veprojnë në mënyra të rrezikshme,” tha senatori republikan Lindsey Graham në shkrim në Twitter.
‘Nuk ka nevojë për shqetësim’
Harry Harris, ambasador i Shteteve të Bashkaura në Korenë e Jugut, u përpoq të ulte ato shqetësime në një intervistë të botuar të hënën.
I pyetur nëse aleatët e Shteteve të Bashkuara duhet të shqetësohen nga vendimi i Presidentit Trump për kurdët, ambasadori Harris i tha gazetës Dong-A Ilbo të Koresë së Jugut se “nuk ka nevojë për shqetësim”. Shtetet e Bashkuara kanë një marrëveshje të ndërsjellë të mbrojtjes me vende si Koreja e Jugut, vuri në dukje ai, dhe aleanca e SHBA-Koreja e Jugut është e “hekurt”.
Por intervista e ambasadorit Harris gjithashtu u duk se po konfirmonte atë që shumë njerëz në Seul kanë frikë, se Presidenti Trump dëshiron një rritje pesëfish të kostos që Koreja e Jugut paguan për praninë e trupave amerikane në vend.
Ambasadori Harris i tha gazetës se nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, Koreja e Jugut mund të shihet se ka financuar vetëm një të pestën e kostos totale të mbrojtjes, dhe se si ekonomia e 12-të në botë Koreja e Jugut duhet të marrë një përgjegjësi më të madhe financiare.
Mediat e Koresë së Jugut kanë muaj që sugjerojnë se Presidenti Trump po i kërkon Seulit të rrisë kontributin e tij pesë herë më shumë, por zyrtarët e amerikanë deri më tani nuk e kanë konfirmuar këtë shifër.
Zyrtarët e Koresë së Jugut thuhet se kanë refuzuar kërkesën, duke thënë se ata janë të gatshëm të përfshihen në negociata “të arsyeshme” përpara skadimit në fund të vitit të marrëveshjës aktuale për ndarjen e kostos.
Aleanca e tensionuar
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut u përballën me të njëjtën situatë vitin e kaluar. Ata përfundimisht ranë dakord për një marrëveshje një vjeçare për ndarjen e kostos, në të cilën Koreja e Jugut ra dakord të paguante tetë për qind më shumë se një vit më parë.
Në gusht, Presidenti Trump u duk se i parapriu negociatave të këtij viti kur ai në Twitter tha se Koreja e Jugut kishte rënë dakord të paguante “më shumë para” për koston e pranisë ushtarake amerikane. Seuli u kundërpërgjigj, duke thënë se bisedimet për ndarjen e kostos nuk do të kishin filluar akoma.
Presidenti Trump gjithashtu është ankuar për stërvitjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut, kohët e fundit duke i quajtur ato një “humbje totale të parave”. Në një tubim të muajit maj në Florida, Presidenti Trump tha se një vend i caktuar ishte “tepër i pasur dhe ndoshta nuk na do ne aq shumë“. Komentet u panë gjerësisht si një referencë për Korenë e Jugut.
Këto lloje të komenteve kanë çuar në një reagim të vogël, por të dukshëm anti-Trump në Korenë e Jugut, veçanërisht nga konservatorët që tashmë janë skeptikë ndaj afrimit të Presidentit Trump me Korenë e Veriut.
Por për Seulin, dëmi ndaj aleancës mund të jetë i kufizuar, pasi të dy anët e spektrit politik të Koresë së Jugut mbështesin një prani të vazhdueshme ushtarake amerikane.
Sipas një sondazhi të janarit të këtij viti të organizuar nga Instituti Asan, një organizatë kërkimore me seli në Seul, 83 për qind e konservatorëve të Koresë së Jugut, 56 përqind e progresistëve dhe 68 për qind e të moderuarve mbështesin një prani ushtarake amerikane në vend në të ardhmen.
Mbështetja është e në nivel të ngjashëm edhe në Shtetet e Bashkuara. Gjashtëdhjetë e nëntë për qind e amerikanëve thonë se niveli i forcave ushtarake amerikane në Korenë e Jugut duhet të ruhet ose të rritet, sipas një sondazhi të muajit të kaluar nga organizata amerikane Këshilli i Çikagos.
Situata të ndryshme
Ka arsye të tjera që vënë në pikëpyetje mundësinë që Trump do ta trajtojë Korenë e Jugut si kurdët, thotë Park Won-gon, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Global Handong të Koresë së Jugut.
“Koreja e Jugut është një shtet komb, ndërsa kurdët nuk janë,” thotë profesor Park. “Aleancat mes vendeve nuk mund të jenë të njëjta me me ato mes një vendi dhe një grupi etnik.”
Ndërsa trupat amerikane të dislokuara në Korenë e Jugut kanë për qëllim zyrtarisht të parandalojnë Korenë e Veriut, ato shërbejnë edhe si një kundërpeshë efektive ndaj Kinës, thekson profesor Park, duke e bërë më të vëhtirë tërheqjen e tyre.
Dallimet e tjera:
Shtetet e Bashkuara kanë patur dhjetëra mijëra trupa në Korenë e Jugut për dekada, ndërsa në Siri, Shtetet e Bashkuara kishin një kontigjent shumë më të vogël dhe për një periudhë vetëm disa vjeçare.
Presidenti Trump gjithashtu për dekada ka folur kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe vazhdimisht ka premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale për tërheqjen e trupave nga rajoni.
Por megjithëse kritikat e Presdientit Trump për Korenë e Jugut janë më pak të njohura, ato gjithashtu janë bërë për vite me rradhë. Në një intervistë të vitit 1990 me revistën Playboy, zoti Trump përmendi Korenë e Jugut në një listë të “të ashtuquajturve aleatë” që po “zhvasin” Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump ka thënë se ai nuk ka diskutuar tërheqjen e trupave amerikane nga Koreja gjatë bisedimeve të tij me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Por nëse ai nuk vendos të tërheqë trupat, ai ende mund të bëjë lëvizje të tjera të debatueshme në lidhje me praninë ushtarake amerikane, si një pakësim të mëtejshëm të manovrave ushtarake me Korenë e Jugut ose tërheqjen e aseteve të tjera strategjike.
“Ne kemi përjetuar plotësisht atë lloj vendimmarrjeje të njëanshme” në Korenë e Jugut, thotë profesor Park. “Dhe vendimet e tij të shpejta kanë shkaktuar tashmë disa pengesa”, thotë ai./voa/
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...