Google ADS

Tërheqja e SHBA-ve nga Afganistani, çelës për paqe në vend

09:29 | 8 Shkurt 2019
Arbresh.info

Grupi Taliban dhe udhëheqës opozitarë afganë me ndikim në vend thonë se një tërheqje e plotë e forcave të huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara është çelësi për paqe të qëndrueshme në Afganistan.

Dy delegacionet e bënë deklaratën të mërkurën në përfundim të një takimi të rrallë dyditor mbi paqen të zhvilluar në Moskë.

Kreu i delegacionit taleban Mohammad Abbas Stanikzai tha se “po kryehen negociata me palën amerikane në një përpjekje që forcat amerikane të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Ish-presidenti afgan Hamid Karzai tha se “çështjet kryesore kanë të bëjnë me paqen, stabilitetin dhe një Afganistan pa forca të huaja e pa ndërhyrje nga çdo anë”.

Në një deklaratë që pasoi takimin u vu në dukje se pjesëmarrësit ranë dakord gjithashtu të mbështesin bisedimet e drejtpërdrejta mes SHBA dhe grupit Taleban për gjetjen e një zgjidhjeje të negociuar për luftën në Afganistan, që ka hyrë në vitin e vitin e 18-të të saj.

Presidenti afgan Ashraf Ghani e kritikoi takimin e zhvilluar në Moskë duke e cilësuar si një përpjekje nga kundërshtarët e tij politikë për të minuar administratën e tij të zgjedhur sipas kushtetutës./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme