Nuk janë vetëm raketat që po lëshohen, teksa Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar po tentojnë t’ua pamundësojnë rebelëve Huthi të Jemenit, sulmet kundër anijeve në prej rrugëve kryesore detare për bartje të mallrave.
Pyetja është se sa larg mund të shkojë secila palë me këto veprime, pa e përfshirë Teheranin në një konflkt më të gjerë në Lindje të Mesme, në mbrojtje të Huthëve, të cilët kanë kryer sulme në anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin Aden.
Pas nisjes së këtyre sulmeve, Uashingtoni e ka kthyer sërish organizatën e Huthëve në listën e organizatave terroriste.
“Qëllimi ynë vazhdon të jetë ulja e tensioneve dhe rikthimi i stabilitetit në Detin e Kuq”, kanë thënë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, përmes një deklarate të përbashkët, pas rundit të fundit të sulmeve kundër shënjestrave të Huthëve në Jemen, më 21 janar.
“Por, le ta përsërisim paralajmërimin tonë ndaj udhëheqësisë së Huthëve: ne nuk do të hezistojmë të mbrojmë jetët e njerëzve dhe lëvizjen e lirë në një prej rrugëve kryesore në botë, teksa kryhen këto sulme”.
Huthët janë përgjigjur me zotimet për të vazhduar luftën kundër atij që e kanë cilësuar “gjenocid” të Izraelit ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës.
“Agresioni amerikano-britanik vetëm sa do të rrisë vendosmërinë e popullit të Jemenit për t’i kryer përgjegjësitë morale dhe humanitare kundër shtypjes në Gazë”, ka thënë Muhammad al-Bukhaiti, zyrtar i lartë politik i Huthëve.
“Këto sulme nuk do të mbesin pa përgjigje dhe pa ndëshkime”, ka thënë zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree.
Dy palët janë përleshur sërish, më 24 janar, ditën kur Huthët kanë thënë se kanë lëshuar raketa balistike kundër disa anijeve ushtarake amerikane, të cilat mbrojnë anijet komerciale amerikane teksa kalojnë në Ngushticën Bab al-Mandab në gjirin e Jemenit.
Komanda Qendrore e SHBA-së, ka thënë se tri raketa janë nisur drejt anijeve amerikane, dhe dy janë rrëzuar prej sistemeve ajrore amerikane, derisa e treta ka rënë në Gjirin e Adenit.
Me mundësinë e shtimit të sulmeve të tilla, mbështetja dhe armatimi klandestin i Iranit për rebelët Huthi duket i madh.
Ndonëse ka vazhduar të ofrojë mbështetje për Huthët, Teherani e ka mohuar se është duke ofruar ndihmë për Huthët.
Në të njëjtën kohë, Irani i ka shpërfaqur kapacitetet e veta të avancuara raketore, si paralajmërim për forcën që mund të ketë, në rast të ndonjë konflikti më të gjerë në Lindje të Mesme.
Shtetet e Bashkuara, duke e theksuar se qëllim kryesor e kanë shtensionimin në rajon, duket se gjë primare e kanë që rebelët Huthi të mos përfocrohen me armë dhe fonde.
Përveç kthimit të Huthëve në listën e grupeve terroriste, Uashingtoni ka thënë, më 15 janar, se ka konfiskuar armë iraniane që kanë pasur destinacion Huthët, gjatë një bastisjsje në Detin e Arabisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar duket se janë të fokusuara edhe në nisjen e sulmeve precize në infrastrukturën ushtarake të Huthëve, duke shmangur operacion të madh, që do të mund të rezultonte me vitima dhe rritje të tensioneve brenda Iranit.
Më 24 janar, Pentagoni ka sqaruar se pavarësisht sulmeve amerikane në Jemen, “ne nuk jemi në luftë në Lindje të Mesme”, dhe fokusi është që të parandalohet një konflikt më i gjerë.
“Shtetet e Bashkuara janë duke e shfrytëzuar një pjesë të vogël të kapacitetit, në krahasim me atë që mund të bëjnë kundër Huthëve tani”, ka thënë Kenneth Katzman, këshilltar i lartë në Grupin e inteligjencës Soufan, me bazë në Nju Jork, dhe ekspert i gjeopolitikës së Lindjes së Mesme.
Efekti i rikthimit të rebelëve Huthi në listën e organizatave terroriste, si dhe vënia e sanksioneve amerikane ndaj tyre, është “margjinal”, sipas Katzmanit.
“Ata, realisht nuk e përdorin sistemin bankar ndërkombëtar, dhe janë goxha të shkëputur”, ka thënë Katzman.
“Ata i marrin armët prej Iranit, i cili është nën sanksione shumë të rrepta, dhe Teherani, me siguri nuk mund të ndalet nga furnizmi i tyre [Huthëve] me më shumë armë”.
Mirëpo, sulmet që po kryhen prej Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, me mbështetje të Australisë, Bahrejnit, Kanadasë dhe Holandës, janë çështje tjetër.
Më 21 janar, sulmet kundër tetë lokacioneve të Huthëve, kanë pasur për qëllim degradimin e kapaciteteve të grupit për të kërcënuar tregtinë globale.
Sulmet e asaj dite kanë qenë përgjigje për më shumë se 30 sulmet e grupit ndaj anijeve ndërkombëtare dhe atyre komerciale prej mesit të nëntorit, dhe janë më të mëdhatë prej nisjes së operacioneve të koalicionit, më 11 janar.
Sulme të tilla kundër Huthëve, “kanë potencial për t’i ndalur ato sulme, për t’i degraduar, mirëpo do të duhen edhe disa sulme tjera, dhe besoj se SHBA-ja po përgatitet për diçka të tillë”, ka thënë Katzman.
“Kapacitetet e Huthëve nuk do të mund të degradohen me një apo dy, apo shtatë valë sulmesh, do të duhen muaj”.
Huthët kanë përvojë të madhe në të përballurit me sulme ajrore, për shkak të sulmeve të parreshtuara të koalicionit ushtarak, të udhëhequr prej sauditëve, gjatë luftës civile nëntëvjeçare në Jemen, e cila ka përfunduar me një armëpushim të ndërmjetësuar prej Kombeve të Bashkuara, në fillim të vitit 2022.
Jeremy Binnie, analist për Lindje të Mesme, dhe ka thënë se prej armëpushimit, Huthët mund të kenë rritur numrin e forcave, të kenë siguruar më shumë raketa të avancuara dhe tanke.
Si Binnie, ashtu edhe Katzman, sugjerojnë se Huthët duket se kanë gatishmëri t’i përballojnë humbjet, me qëllim të përmbushjes së synimeve që kanë.
Huthët e kanë bërë të qartë se do t’i vazhdojnë sulmet kundër anijeve në Detin e Kuq – duke pretenduar se i shënjestrojnë vetëm anijet e lidhura vetëm me Izraelin, pavarësisht të dhënave për të kundërtën – derisa të ketë një armëpushim në Rripin e Gazës.
Kjo ka rezultuar me vëzhgim intensiv të marrëdhënies së komplikuar të Huthëve me Iranin.
Huthët e kanë pozicionuar veten si element i rëndësishëm në të ashtuquajturin “Bosht të Rezistencës” së Iranit kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kundër rivalit të ashpër të Teheranit në rajon, Arabisë Saudite.
Mirëpo, analistët e kanë hedhur poshtë idenë që Huthët janë degë direkte iraniane, duke e përshkruar lidhjen mes tyre të atillë që Huthët mund të jenë luftarakë dhe të shkojnë përtej asaj që dëshiron Teherani.
Ndonëse është akuzuar nga shtetet e Perëndimit dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara se u ka dërguar Huthëve armë në mënyrë sekrete, Irani e ka portretizuar këtë grup, partnerët dhe grupet militante tjera, si të pavarura në vendimmarrje.
Në “Boshtin e Rezistencës” përfshihen Hamasi – grup i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sulmet e të cilit në tokën izraelite kanë nxitur ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës – grupi Hezbollah i Libanit – grup, po ashtu i përkrahur prej Iranit, dhe i shpallur terrorist prej SHBA-së.
Sikurse Huthët, edhe Hezbollahu ka nisur sulme kundër Izraelit, si shenjë përkrahjeje ndaj Hamasit.
“Sukesi i Boshtit të Rezistencës është që, meqënese Teherani, ose i ka krijuar ose ka bashkëpunuar me këto grupe, më shpesh ka shkrirje mendimesh mes tyre, sesa tension”, ka thënë Behnam Ben Taleblu, hulumtues i lartë në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracive, me bazë në Uashington.
Mirëpo, marrëdhënia mes tyre nuk është thjesht që “Irani t’iu kërkojë atyre të kërcejnë dhe ata ta pyesin se sa lart”, ka thënë Taleblu.
“Ka të bëjë me aftësinë e Iranit për të gjetur dhe mbështetur materialisht ata që kanë gatishmëri, apo mund të binden, që të godasin ata që dëshiron Teherani të goditen”.
Interesat e Iranit për suksesin e këtyre grupeve, dhe përceptimi i Teheranit se sa të rrezikuar mund të jenë partnerët e tij, mund të luajë rol të rëndësishëm në gatishmërinë e Teheranit për t’iu dalë në mbrojtje, ka thënë Taleblu.
Vëzhguesit e Lindjes së Mesme, kanë sugjeruar se duhet të ekzistojë një kërcënim ekzistencial për Teheranin, apo për një grup të afërt të tij, sikurse Hezbollahu, që Irani të përfshihet direkt.
“Republika Islamike do të reagonte ndryshe në rast të rrezikimit me shkatërrim të Hezbollahut, të cilin e ka krijuar, në krahasim me Hamasin, me të cilin ka bashkëpunuar”, ka thënë Taleblu.
“Konteksti është çelësi”.
“Irani është duke bërë atë që beson se i mban Shtetet e Bashkuara sa më larg bregut”, ka thënë Katzman, duke hedhur poshtë idenë që sulmet me raketa të këtij muaji në Siri, Irak dhe Pakistan, kanë qenë paralajmërim për Izraelin dhe SHBA-në, lidhur me rritjen e kapaciteteve ushtarake të Iranit.
Irani është “duke tentuar të fitojë përkrahje për Huthët, pa u zhytur vetë”.
Irani besohet se ka pjesëtarë të Gardës Revolucionare Islamike në terenet e Jemenit.
Teherani, po ashtu, vazhdon të akuzohet se u dorëzon armë Huthëve, dhe në nisje të luftës e ka aktivizuar një anije në Gjirin e Adenit, si shenjë mbështetjeje për Huthët.
Më vonë e ka tërhequr anijen, pak kohë pasi koalicioni, në krye me SHBA-në, ka nisur sulmet në Jemen, më 11 janar.
“Pra, ata janë duke ndihmuar”, ka thënë Katzman, “mirëpo mendoj se janë duke tentuar që këtë gjë ta bëjnë në qetësi”.
Një operacion tokësor në krye me SHBA-në kundër Huthëve, do të mund të ndryshonte kalkulimet e Iranit, sipas Katzmanit.
Sipas tij, atëherë “Irani do të mund t’i angazhonte forcat e veta, për t’iu ndihmuar Huthëve”.
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...