Tensionet Ukrainë-Rusi, një tjetër anije e SHBA stacionohet në Detin e Zi

00:34 | 7 Janar 2019
Trina Galanxhi

Një anije tjetër nga Flota e SHBA, “USS Fort McHenry” ka hyrë këtë fundjavë në Detin e Zi, aty ku tensionet shpërthyen pasi tre anije të Ukrainës u goditën nga marina ruse me pretendimin se kishin shkelur ujërat territoriale ruse në fund të nëntorit dhe ekuipazhi i tyre u arrestua.

“Ardhja e “USS Fort McHenry” riafirmon vendosmërinë tonë kolektive ndaj sigurisë në Detin e Zi dhe rrit marrëdhëniet tona të forta me aleatët dhe partnerët tanë të NATO-s në rajon”, tha Lisa M. Franchetti, komandante e 6-të e Flotës.

“Fort McHenry me bazë në Florida është në një vendosje të planifikuar nga Flota e 6-të e SHBA për të kryer operacione me aleatë dhe partnerë, duke çuar përpara sigurinë dhe stabilitetin në Evropë”, tha Flota e 6-të e SHBA në një deklaratë të dielën.

Në njoftim gjithashtu kujtohet se marina amerikane funksionon në mënyrë rutinore në Detin e Zi, duke thënë se vepron në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Gjashtë anije ushtarake amerikane kryen misione në zonë në vitin 2018, duke përfshirë edhe shkatërruesit e raketave të udhëzuar USS Ross, USS Carney dhe USS Porter, si dhe anijen komanduese USS Mount Whitney, anija USS Oak Hill dhe transportuesi ekspeditiv i shpejtë USNS Carson City.

“Ujërat” mbeten të turbullta në Detin e Zi pasi konfliktit në Ngushticën Kerç, midis Krimesë dhe Rusisë kontinentale, më 25 nëntor. Incidenti, i ndodhur në zonën që dikur përfshihej në ujërat territoriale ruse edhe përpara ribashkimit të saj me Krimenë në vitin 2014, u shënua si një “agresion” në Uashington dhe pa një takim shumë të parashikuar midis Donald Trump dhe Vladimir Putin të anulluar.

Përfaqësuesi Special i SHBA-ve për Ukrainën, Kurt Volker, i bëri thirrje SHBA-ve të “rrisin praninë në Detin e Zi” në bashkëpunim me Turqinë ose BE-në.

Zëvendësministri i Ukrainës për territoret e zëna, Yury Hrymchak, shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se marina britanike duhet të fusë një nga anijet e saj përmes Ngushticës Kerç për hir të lirisë së lundrimit. “Do të ishte interesante të shihnim se si do të reagojnë rusët”, tha ai.

Ndërkohë, më parë këtë javë, ndihmësi i Presidentit ukrainas, Yury Biryukov njoftoi se Kievi ishte përsëri duke planifikuar të dërgonte anijet e saj përmes ngushticës Kerç. “Ne do të bëjmë atë pa marrë parasysh nëse rusëve u pëlqen apo jo”, tha ai.

Moska ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk ka kundërshtime ndaj anijeve luftarake të Ukrainës që udhëtojnë midis Detit të Zi dhe Azov përmes Ngushticës Kerç, por këmbëngul që kjo duhet të bëhet në përputhje me procedurën e rënë dakord kur Kievi informon anën ruse për planet e saj të navigimit paraprakisht.

Rusia gjithashtu e konsideron praninë e anijeve të SHBA dhe NATO-s në Detin e Zi, si motiv për të rritur tensionet dhe për ta vënë Europën në rrezik të një konflikti ushtarak./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme