Të vrarë e të plagosur në valën e re të sulmeve ruse në Ukrainë

09:21 | 23 Janar 2024
R J

Disa persona janë vrarë dhe plagosur më 23 janar, si pasojë e valës së re të sulmeve ruse me raketa në qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kievin.

Sistemet e alarmeve janë aktivizuar në gjithë territorin e Ukrainës.

Në Kiev, të paktën një grua është vrarë dhe nëntë persona tjerë janë plagosur, ka thënë kryetari i kryeqytetit Vitali Klitschko në platformën Telegram.

Tri distrikte – Peçerks, Sviatoshinsk dhe Solomjansk – janë shënjestruar në sulm, ka thënë Klitschko.

Sipas tij, tetë persona janë shtruar në spital.

Në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, raketat ruse Kh-22 kanë goditur shënjestra civile, ka thënë guvernatori rajonal Oleh Synyehubov, po ashtu, në Telegram.

“Si rezultat, 28 persona janë plagosur. Dy gra, 56 dhe 40 vjeçe, fatkeqësisht, janë vrarë”, ka thënë ai, duke publikuar pamje të ndërtesave krejtësisht të shkatërruara.

Raketat ruse kanë goditur edhe qytetin Pavlohrad, në rajonin jugor të Dnjipropetrovskut, duke e vrarë të paktën një person.

Në javët e fundit, Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa në shënjestrat civile në Ukrainë, duke shkaktuar një mori vdekjesh, plagosjesh dhe dëmesh materiale.

Qyteti i Harkivit është goditur në veçanti.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme