Google ADS

Të paktën katër të vrarë gjatë të shtënave në SHBA

08:38 | 4 Korrik 2023
Diellza Gashi

Të paktën katër persona janë vrarë dhe dy fëmijë janë plagosur gjatë të shtënave masive në qytetin amerikan të Filadelfisë, tha policia.

Viktimat ishin të gjithë burra nga 20 deri në 59 vjeç, tha zyrtarja policore Danielle Outlaw, ndërkaq një nga fëmijët e plagosur është dy vjeç, ndërkaq tjetri 13.

Policia ka arrestuar sulmuesin e dyshuar, një 40-vjeçar që kishte të veshur një jelek antiplumb dhe ishte i armatosur me një pushkë dhe një pistoletë. Ai u arrestua pranë vendit ku ndodhën të shtënat në lagjen Kingsesing, tha Outlaw.

“Nuk e di nëse ka qëlluar me pushkë apo me revole kur ne po e ndiqnim, por ai vazhdimisht ka hapur zjarr përderisa zyrtarët policorë po e ndiqnin”, tha ajo.

Policia ka rrethuar me shirita skenën e krimit, që sipas Outlaw shtrihet në të paktën tetë blloqe të qytetit.

“Nuk e kemi idenë pse ndodhën të shtënat. Siç ju thash, ne kemi arrestuar një person”, tha ajo.

Policia po ashtu ka arrestuar edhe një person që besojnë se ka hapur zjarr drejt sulmuesit.

“Në një moment kur viktimat po qëlloheshin, kemi pasur një person tjetër që ne besojmë që disi erdhi deri te posedimi i një arme dhe i ktheu zjarrin sulmuesit. Ai person është arrestuar”, tha Outlaw.

Të shtënat që ndodhën të hënën janë ngjarja e 341-të e dhunës me armë në SHBA që është regjistruar këtë vit, sipas Arkivit për Dhunë me Armë. Vetëm gjatë këtij viti, 21.696 persona janë vrarë, përfshirë 12.144 vetëvrasje.

Vitin e kaluar, 44.357 persona u vranë nga dhuna me armë në SHBA dhe mbi gjysma e tyre ishin vetëvrasje. /REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme